Shqetësim i shtuar në Shqipëri nga rritja e rasteve me COVID-19
BKT
Shqipëri

Shqetësim i shtuar në Shqipëri nga rritja e rasteve me COVID-19

Kalimi mbi 5 mijë i rasteve aktivë me Koronavirus, rritja e shtrimeve në spitale dhe infektimeve ka shtuar shqetësimin në Shqipëri.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri thirrje për vaksinim pasi po preken shumë të rinj me COVID-19.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha e shqetësuar se rritja numrit të infektimeve me Koronavirus, shtrimet në spitale, viktimat dhe më shumë se 5 mijë raste aktive kërkojnë përgjegësi madhore nga gjithsecili shtetas.

5129 raste janë aktivë me Koronavirus në Shqipëri.

Pragmbrëmjen e së shtunës ministrja tha se duhet medoemos vaksinimi masiv veçanërisht pasi prekja e të rinjve është në rritje, raportoi korrespondenti i RTK-së, Knid Denion Ndrenika.

Zonja Manastirliu tha se për mbrojtjen e shëndetit për veten dhe të të tjerëve, duhen respektuar protokollet e shëndetit publik që përcaktojnë qartë masat që duhen zbatuar në çdo mjedis dhe veprimtari.

Shqipëria raportoi në 24 orët e fundit dy viktima dhe 658 raste të reja me COVID-19.

Ndërkaq doktoreshë Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik ka paralajmëruar rrezikshmërinë e përhapjes së variantit indian “Delta” përkundër domosdoshmërisë për vaksinim:

“Ka shumë njerëz që thonë “e kam kaluar Kovidin, kam mbrojtje, nuk kam pse vaksinohem”. Është shumë e gabuar! Ata patjetër duhet të vaksinohen! Është e rëndësishme që të rrisim mbulesën vaksinale në të gjithë llojet e mekanizmave për të mbrojtur shëndetin. Por, jo që të lehtësohen masat, pasi varianti “Delta” është tepër ngjitës”!

Që nga marsi 2020 kur u shfaq Koronavirusi, në Shqipëri kanë humbur jetën 2,477 persona.


MË SHUME NGA Shqipëri