Shqipëri: Qindra raste të reja infektimesh në ditë
Varianti Delta i virusit Corona po përhapet me shpejtësi në Shqipëri. Ende nuk janë rikthyer masat shtrënguese dhe mbajtja e maskës nuk respektohet.
Burime zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur se numri total i infektimeve të reja me virusin Corona javën që kaloi,(16-22 gusht 2021) arriti në në Shqipëri, në mbi 3 mijë vetë dhe ai i viktimave në 12.
Që nga fillimi i muajit gusht rezultojnë të jenë gjithsej 5 667 raste dhe 20 viktima.Të shtunën (21.08) numri i rasteve të reja arriti shifrën më të lartë që nga fundimaji i këtij viti. Në spitalin infektiv anti-Covid, në Qendrën Spitalore Universitare” Nënë Tereza”nga një numër i pakët pacientësh në fundmajin e këtij viti janë të shtruar 73 pacientë, kurimi i të cilëve kërkon të rikthehen shërbimet e specializuara.
Rastet e reja të infektuara nga virusi Corona janë të përhapura pothuajse në të gjthë vendin duke prekur 43 bashki nga 61 që ka në total Shqipëria. Tirana vazhdon të kryesojë me 217 raste të reja, e ndjekur nga Shkodra me 98, Vlora me 51 dhe Durrësi me 38.























