Mbërrijnë 43,512 vaksina Pfizer
Rreth 43,512 doza të vaksinës Pfizer kanë mbërritur mbërmjen e kësaj të hëne në Aeroportin “Nënë Tereza”, duke e çuar në 1,899,172 numrin e vaksinave të mbërritura në Shqipëri.
Lajmin e dha kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në rrjetet sociale bëri po ashtu apel për qytetarët që ta shfrytëzojnë muajin e hapur të vaksinimit masiv, për t’u vaksinuar kundër Covid-19.
Një reagim pati edhe ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca, i cili tha se deri në fund të Gushtit në Shqipëri do të vijnë 150 mijë doza të vaksinës Pfizer. Edhe Soreca bëri apel për marrjen e vaksinës, për të shpëtuar jetë.
Vetëm përgjatë këtyre 3 javëve të muajit Gusht në Shqipëri u kryer 171 mijë vaksinime anti-Covid. Vaksinimi ka qenë i hapur për personat mbi 18 vjeç, ç’ka ka bërë që interesi të rritet. Referuar statistikave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, krahasuar me muajin Korrik deri tani janë 36 mijë më shumë vaksinime.
Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se popullsia duhet të vaksinohet për të shmangur format e rënda dhe shtrimet në spital nga varianti Delta i Covid-19./tvklan.al























