BE premtoi përsëri ndihmë për Shqipërinë për vaksina kundër COVID-19
Euroambasadori Luixhi Soreka shkruajti se Shqipëria mori ngarkesën e fundit të vaksinave të financuara nga Bashkimi Europian.
Sipas zotit Soreka, vaksinat “BioNTech/Pfizer” janë të dhuruara nga Austria dhe të shpërndara çdo javë për të arritur planin e vaksinimit në vend.
Zoti Soreka theksoi shifrën 150 mijë të vaksinave për qytetarët shqiptarë dhe premtoi ndihmën e Brukselit për Shqipërinë në përballjen me COVID-19.
Kurse, kryeministri Edi Rama njoftoi mbërritjen në aeroportin e Rinasit “Nënë Tereza” të 43,512 dozave të vaksinës “Pfizer”.
Gjithsej Shqipëria ka marrë nga 1,899,172 doza “Pfizer”, “Astra Zeneka”, “Sputnik” dhe “Sinovak” që nga janari kur filloi fushatën e vaksinimit, raportoi korrespondenti i RTK-së, Knid Denion Ndrenika. Shqipëria shënoi 65 për qind rritje të rasteve të reja me Koronavirus javën e kaluar krahasuar me datat 17-23 gusht.
Po ashtu u shënua numri më i madh javor i viktimave, 12 që nga 17 maji.
Rritjen e infektimeve e ka theksuar shqetësuese më herët ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila ka bërë thirrje për vaksinim masiv.
“Rritje me dy herë e rasteve të infektuara dhe pacientëve të shtruar. Grupmoshat mbi 55 vjeç janë më të prekurat. Por, të vijojmë sa më shumë me vaksinimin në këtë muaj të vaksinimit të hapur”-tha zonja Manastirliu. 2,478 persona kanë humbur jetën në Shqipëri qëkur pandemia u shfaq në mars 2020.























