Edhe 59 afganë të tjerë u ulën me avion në Rinas
Në pistën e aeroportit të Rinasit rreth orës 4 e 30 të mëngjesit u ul avioni i dytë me afganë të larguar nga vendi i tyre pas rikthimit në pushtet talebanëve për herë të parë që nga viti 2001.
59 afganë ishin në këtë avion, i dyti që pas mesnatës dhe i treti brenda 24 orëve. Gjithsej në këtë ditënatë në Shqipëri kanë ardhur 275 afganë, përfshi shumë fëmijë, foshnje dhe gra, raportoi korrespondenti i RTK-së Knid Denion Ndrenika.
Ata kanë qenë bashkëpunëtorë ose familjarëe të tyre të angazhuar me organizatat amerikane dhe perëndimore gjatë qëndrimit të aleatëve kundër terrorizmit në Afganistan. Kryeministri Edi Rama ishte në Rinas për të pritur afganët, bashkë me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Juri Kim. Zoti Rama në një video të publikuar më pas, shkruante: “Mirëmëngjes pa u gdhirë nga Rinasi ku deri sot kanë mbërritur 275 të arratisur nga Afganistani fatkeq, ndër të cilët edhe gra aktiviste të shoqërisë civile, pedagogë, punonjës institucionesh, gazetarë, së bashku me familjet e tyre, ju uroj një fundjavë të qetë”. Ministrja Xhaçka tha se një pjesë e afganëve të ardhur janë nga shoqëria civile, përgjithësisht “gra shumë të zëshme për të drejtat e grave në Afganistan dhe një kategori që janë shumë të rrezikuar nga talibanët sot”.
“Nuk ka qenë e lehtë që t’i sillnim deri këtu. Kanë kaluar vërtet ditë të vështira”-tha Xhaçka, e cila shtoi se në të dy avionët e ardhur brenda pak orëve ka shumë studentë.























