Meta kritikon qeverinë: Ora policore nuk e mban nën kontroll Koronavirusin
BKT
Shqipëri

Meta kritikon qeverinë: Ora policore nuk e mban nën kontroll Koronavirusin

Presidenti Ilir Meta tha se shtimi tepër i lartë i rasteve të infektimeve me COVID-19, fatkeqësisht dhe të humbjeve të jetëve në ditët e fundit, siç e quajti “moment shumë serioz”, nuk mund të mbahet nën kontroll me orë policore.

Presidenti tha se veçanërisht në rrethanat e reja të krijuara me përhapjen e variantin “Delta”, lind nevoja jetike për marrjen e masave të tjera efektive për të mos lejuar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Sipas zotit Meta duhen masa shkencore dhe proporcionale, vaksinim shtesë dhe protokolle shëndetësore të konsoliduara dhe të njohura ndërkombëtarisht për të përballuar gjendjen e përkeqësuar në Shqipëri nga Koronavirusi.

Për presidentin Meta, zgjidhje me rëndësi dhe rrugë për të ecur është testimi, gjurmimi, izolimi dhe trajtimi i duhur mjekësor siç vëren se “janë hapa jetike në këtë situatë, raportoi korrespondenti i RTK-së Knid Denion Ndrenika.

“Inkurajoj qytetarët, veçanërisht ata me probleme të tjera shëndetësore dhe që nuk e kanë kaluar COVID-19, të vaksinohen sa më parë për të reduktuar mundësinë e përhapjes së virusit të rrezikshëm”-shkruajti presidenti në facebook.

Ai theksoi gjithashtu se mbajtja e maskave, respektimi i distancimit fizik dhe higjiena maksimale janë të domosdoshme gjithashtu.

Zoti Meta i bëri thirrje qeverisë që “të shtojë sa më parë fondet për sistemin shëndetësor, për të përmirësuar shërbimin e ofruar ndaj qytetarëve”.

Vetëm kështu sipas presidentit Meta duhet vepruar “për të mos u gjendur sërish para gjendjeve të papranueshme të mjekëve dhe infermierëve në qendra shëndetësore, që luftonin në vijën e parë, pa pajisje mbrojtëse dhe mjetet e duhura diagnostike”.


MË SHUME NGA Shqipëri