Kapet i kërkuari për narkotrafik në operacion me njesinë hetimore të DEA-s
BKT
Shqipëri

Kapet i kërkuari për narkotrafik në operacion me njesinë hetimore të DEA-s

Policia në Shqipëri njoftoi arrestimin e një personi të kërkuar nga drejtësia amerikane për narkotrafik.

Në një operacion tjetër ndërkombëtar në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, policia njoftoi arrestimin e shtetasit joshqiptar “L. V.”, 41 vjeç.

Operacioni i koduar “Detroit”, sipas policisë së Shqipërisë, u krye mes Njësisë Hetimore “Jointshield” që funksionon në bashkëpunim DSS dhe OSI në Ambasadën Amerikane dhe me zyrën e DEA-s Athinë, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtorisë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale dhe zyrën e Interpolit në Policinë e Shtetit të Shqipërisë.

“Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i huaj i kërkuar nga drejtësia amerikane, për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale”, - njoftoi policia siç raporton korrespondenti i RTK-së Knid Denion Ndrenika.

Policia e Shtetit, tha se mori informacione nga Zyra e DEA-s në Athinë, se një shtetas i huaj i përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve mund të hynte në territorin shqiptar, menjëherë organizoi punën për lokalizimin e vendndodhjes dhe arrestimin e këtij personi.

“Mbi bazën e informacioneve të grumbulluara, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe Njësia Hetimore “Jointshield” finalizuan operacionin “Detroit”, si rezultat i të cilit u bë e mundur që në rrugën nacionale Tamarë-Hani i Hotit, të kapej dhe të vihej në pranga shtetasi i huaj L. V., 41 vjeç”-njoftoi policia.

Lëvizjet e këtij shtetasi të huaj në territorin e Shqipërisë u shoqëruan me një punë të mirëfilltë hetimore dhe kërkimore prej më shumë se dy muajsh. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, me qëllim fillimin e procedurave të ekstradimit të këtij shtetasi të huaj drejt SHBA-së.

Ekstradimi bëhet pasi Gjykata e Michiganit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendimin e datës 09.06.2021 i ka shqiptuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Policia e Shtetit theksoi se është e angazhuar dhe e vendosur për të punuar bashkërisht me partnerët në luftën kundër krimit të organizuar, me qëllim kapjen dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtrojnë këtë veprimtari kriminale.

 


MË SHUME NGA Shqipëri