Mancini: Kundër Bullgarisë nuk do të jetë lehtë
BKT
Sport

Mancini: Kundër Bullgarisë nuk do të jetë lehtë

Roberto Mançini dhe Italia rikthehen mbrëmjen e sotme në fushë pas suksesit më 11 korrik, në Londër, ku u shpallën kampionë të Evropës.

Për trajnerin e “Axurrëve” ndeshja eliminatore kundër Bullgarisë pritet me shumë emocion, por në të njëjtën kohë, përveç tri pikëve ka si garniturë edhe mundësinë e barazimit të rekordit të Spanjës prej 35 ndeshjesh zyrtare radhazi pa humbje.

“Është një kënaqësi që rikthehemi të luajmë, pas një vere fantastike që kaluam të gjithë së bashku, ndonëse tani do të jetë shumë e rëndësishme që ta nisim me këmbën e duhur. Kundër Bullgarisë do të jetë pa dyshim një ndeshje e frikshme, pasi është ndeshja e parë pas pushimeve.

Lojtarët, gjithashtu, kanë pushuar më pak sesa normalja, ndaj janë shumë faktorë që mund të ndikojnë, prandaj dua qetësi dhe zgjuarsi nga ana e futbollistëve të mi. Kam grumbulluar 20- 25 lojtarë, të cilët janë pak a shumë edhe ata që ishin në Europian, ndërsa në fushë mendoj se do të zbresë i njëjti formacion që luajti finalen e Europianit, ndonëse nuk kam vendosur ende përfundimisht.

Italia për rekord? T’i lëmë këto gjëra, pasi ajo që më lumturon më shumë mua është që të rishoh sërish ekipin tim në aksion, por mbi të gjitha jam i lumtur që kam riparë në formë dhe të rikuperuar disa lojtarë si Zaniolo apo edhe Ken. Këta janë të rinj shumë interesantë, të cilët e dinë mirë se kanë besimin tim absolut.

Në të njëjtën kohë unë mendoj se pas 3-4-5 vitesh do të jenë lojtarët si Zaniolo e Ken që do të jenë boshti i Kombëtares sonë, por pse jo edhe ato vlerat e shtuara dhe të rëndësishme për Botërorin që nis pas 13-14 muajsh.

Prandaj, kundër Bullgarisë dua të shoh sërish uri për fitore, dëshirë për të treguar pse jemi kampionët e Europës, por mbi të gjitha pres tri pikët, pasi dua që të shkojmë të sigurt dhe të qetë drejt Botërorit në Katar.

Ky grup nuk duhet të mendojë se është më i forti në qarkullim, pasi vend për të përmirësuar ka ende shumë”, tha Mançini në konferencën e djeshme.