Shqipëria bën bilancin e zjarreve të korrik-gushtit
BKT
Shqipëri

Shqipëria bën bilancin e zjarreve të korrik-gushtit

Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri publikoi bilancin e zjarreve që përfshinë vendin në muajt korrik dhe veçanërisht në gusht nga temperaturat e larta apo me qëllim. Mijëra hektarë sipërfaqe pyjore, vreshta, ullinj u dogjën këtë verë.

Shqipëria shënoi dy viktima dhe dëme në 33 mijë e 420 hektarë kullota, pyje, shkurre dhe 14 mijë rrënjë ullinj dhe pemtari nga zjarret e qëllimtë dhe temperaturat e larta.
Haki Çako, drejtor i Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes tha se në korrik dhe në gusht në Shqipëri si vend me rrezikshmëri të lartë, shpërthyen 389 vatra zjarresh. Vatrat masive ishin në Gadishullin e Karaburunit në Vlorë, Majën e Rrunës pranë tunelit të Kalimashit në Rrugën e Kombit dhe në Antigone të Gjirokastrës ku vdiqën dy bashkëshortë, raportoi korrespondenti i RTK-së Knid Denion Ndrenika. 

Kryeministri Edi Rama potencoi se duhet ndëshkim shembullor për zjarrvënësit që rrezikojnë jetët e njerëzve, përveçse shkatërrojnë pasurinë kombëtare:
“Policia e Shtetit ka arritur të çojë prapa hekurave një numër jo të vogël barbarësh, të cilët meritojnë të kalben prapa hekurave. Shpresoj shumë që gjykatat do të japin vendimet e duhura, që këta kriminelë barbarë të shërbejnë për të dhënë një mesazh, sepse është e patolerueshme që dora e njeriut të shtojë nga vetja për të ndezur zjarre që marrin edhe jetë”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral brigade Bajram Begaj tha se pas 3 javësh luftë me zjarret u shpëtuan jetë njerëzish dhe parandaluan dëme më të mëdha.

Folësit në ceremoninë e organizuar në Regjimentin e Helikopterëve të Ushtrisë në Farkë të Tiranës falenderuan vendet partnere dhe mike që ndihmuan në përballimin e gjendjes.


MË SHUME NGA Shqipëri