Sonte në RTK, Kosova-Spanja
Sonte në orën 20:45 do të zhvillohet ndeshja e shumëpritur ndërmjet Kosovës dhe Spanjës, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin "Katari 2022".
Ndeshja zhvillohet në stadiumin "Fadil Vokrri", e ku vetëm 10 përqind e kapacitetit të stadiumit do të jetë në dispozicion të tifozëve, derisa të gjithë të tjerët emocionet e kësaj ndeshjeje do të mund t'i përjetojnë si zakonisht në transmetimin e drejtpërdrejt në RTK.
Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, e ka vlerësuar speciale dhe shumë të vështirë përballjen me Përfaqësuesen e Spanjës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Challandes ka pranuar se Spanja është shumë e fortë. Sipas tij, jo vetëm Kosova, por çdo përfaqësuese botërore ka telashe të përballet me ekipin e Luis Enriques, i cili bazohet në posedimin e topit gjatë tërë ndeshjes.
Kosova në këtë ndeshje futet pas fitores në udhëtim ndaj Gjeorgjisë (1:0) dhe barazimit në shtëpi me Greqinë (1:1), derisa Spanja u mposht nga Suedia (2:1) dhe triumfoi bindshëm ndaj Gjeorgjisë me shifrat 4:0.
Spanja i prin grupit me dhjetë pikë, një më shumë se Suedia që ka edhe dy ndeshje më pak të luajtura. Kosova është e treta me katër pikë, duke lënë pas vetes Greqinë (3) dhe Gjeorgjinë (1).























