Kurti viziton IKSHPK-në, fton qytetarët që të vaksinohen
Kryeministri Albin Kurti, ka vizituar sot Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), nga ku u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19.
Kurti në një prononcim para mediave, ka falënderuar punëtorët e IKSHPK-së, të cilët tash e 500 ditë janë duke u përballur me pandeminë COVID-19.
Ai ka thënë se vaksina ul 20-fish rrezikun nga pasojat e infektimit me koronavirus.
“Erdhëm në IKSHPK që t’i falënderohemi për punën dhe kontributin të gjithë të punësuarve të cilët kanë kaluar 500 ditë në mënyrë të pandalshme, të palodhshme duke kontribuuar në ballafaqimin me COVID-19, në veçanti tash në këto javë kur situata është rënduar për shkak të pasojave të mëdha të variantit ‘Delta’. Tash ka vaksina, inkurajoj të gjithë qytetarët e Republikës që pa humbur kohë të vaksinohen meqenëse ky është një virus me rrezikshmëri të lart, e vaksinimi e ul rrezikun 20-fish”, tha Kurti.
Ai shtoi se Kosova pas dy dite do të shënojë administrimin e një milionë vaksinave.
“Pasnesër do të jetë dita kur do të shënojmë administrimin e 1 milion dozave të vaksinës, ku 2/3 e tyre kanë marrë një dozë dhe përafërsisht 1/3 i kanë marrë dy doza të vaksinës”, shtoi Kurti.























