Hapet Kuvendi i ri, Berisha flet për pazare të fëlliqura Rama-Basha
Në Tiranë u mbajt seanca hapëse e Kuvendit të ri. Vëmendjen kryesore e mori deputeti Sali Berisha pasi u përjashtua nga grupi opozitar demokrat. Ndërsa kryeminstri Edi Rama kërkoi përqendrim në problemet reale që ka vendi.
Sesionin e ri e hapi deputetja më e vjetër, Luljeta Boz 79 vjeçe nga Partia Socialiste, e cila tha se “jemi këtu falë votës së popullit shqiptar”.
“Ne kemi marë një përgjegjësi të madhe për ata që na kanë besuar një mision historik. Ky proces do të krijojë kushte për nisma ligjvënëse duke debtuar për pjekuri. Besoj se sfifat e mëdha nga kuvendi i kaluar duhet t’i çojmë më tej”-tha deputetja Bozo.
Angazhimi për opozitë të fortë i deputetit Sali Berisha i parapriu seancës konstituive të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
I përjashtuar nga grupi i deputetëve demokratë zoti Berisha tha se do të luftojë për prishjen e pazareve të kryetarit demokrat Lulzim Basha dhe kryeministrit socialist Edi Rama, raportoi korrespondenti i RTK-së Knid Denion Ndrenika
“Emergjenca është kjo: Partia Demokratike do të rivendosë sovranitetin, legjitimitetin dhe statutshmërinë e saj të grabitur poshtërsisht me marrëveshjen Rama-Basha. Vendimi, kompromisi Basha-Rama është nul, nuk ka asnjë mbështetje ligjore përveç fëlliqësisë morale të pazareve prapa shpine ndaj një force politike që qëndron fuqishëm në pozicionin e saj si opozitë”-tha deputeti Berisha.
Ai u prit me brohoritje nga mbështetësit e tij ndërkohe që kryetarit Basha iu drejtuan me thirrjet “turp” për përjashtimin nga grupi të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit.
Deputeti Berisha foli për mediat përpara dhe pasi doli nga salla ku u ul në karriget e fundit si i zgjedhur i pavarur:
“Do të ndërmarr çdo nismë ligjore dhe statutore brenda PD-së për rikthimin e saj në piedestalin që meriton. Jashtë çdo lloj diskutimi! Jam anëtar i grupit parlamentar të PD-së. Në çdo kohë mund të hyj në seli dhe të jeni të sigurt se do të jetë shumë e afërt dita kur PD të rifitojë të gjithë forcën, vendosmërinë, legjitimitetin për të shporrur një klikë sunduese të bazuar mbi krimin, drogën, dhunimin e votës së qytetarëve shqiptarë dhe pazaret e fëlliqura me ata të cilët e shndërrojnë PD në fasadë opozitë”.
Ndërsa kryeministri Edi Rama kërkoi përqendrim në problemet reale që ka vendi:
“Sa më shumë energji për njerëzit, problemet e tyre reale, sfidat e mëdha të përbashkëta. Sa më pak energji për atë që politika ka bërë fatkeqësisht në shumë e shumë vite”.
Zoti Rama shtoi se “ne jemi lart dhe nuk mund të ndalojmë për të kthyer kokën mbrapa”.
“Trishtimet dhe gëzimet janë evenimente shumë të rëndësishme për t’i shpërdoruar për çështje politike aq më tepër për një kamp tjetër. Më shfrytëzoni për të më pyetur për gjëra që kanë të bëjnë për të mirën e vendit. E shkuara nuk është problem i Partisë Socialiste. Ne jemi e ardhmja”-tha kryeministri.
Në 25 prill Partia Socialiste fitoi 74 deputetë për mandatin e tretë radhazi që nga 2013.
Partia Demokratike me “Aleancën për Ndryshim” 59, Partia Socialdemokrate 3, Lëvizja Socialiste për Integrim 4 deputetë.























