Eksperti, 20 milionë ton grurë më pak, ndikimin e ndryshimeve klimatike
Kryetari i Shoqatës së Importuesve të Miellit Adi Haxhiymeri tha se nga bilancet deri tani janë prodhuar rreth 20 milionë ton grurë më pak, shifër kjo tronditëse për tregun.
Për shkak të ndryshimeve klimatike ka pasur një rritje të lartë të çmimit të grurit që rrjedhimisht ka sjellë dhe rritjen e çmimit të miellit.
Ndjeshmërinë më të madhe nga këto faktorë klimatikë, sipas Haxhiymerit e kanë pasur Rusia, Kanadaja dhe Amerika që janë ndër eksportuesit kryesorë.
Sasinë më të madhe të grurit vendi ynë e merr nga Rusia. Ndërkohë Haxhiymeri na tregoi se sasia e furnizimit që vjen nga Franca këtë vit është anuluar pikërisht për shkak të prodhimit të dobët.
Eksperti u shpreh se gruri vijon të rritet në bursë në mënyrë graduale, njofton euronews.albania.
“Çmimi i rritjes së miellit është maksimumi 10%, pra nga 50 në 55 lekë, megjithëse jo kudo është me këtë çmim. Kemi ardhur në një pikë që nuk ka më, kontratat e reja që po mbërrijnë janë me çmime edhe më të larta,” – tha Haxhiymeri.
Vendi ynë prodhon shumë pak grurë, edhe ajo sasi që prodhohet deri në 80% përdoret nga nevojat e fshatarëve.























