Yuri Kim: Habia për Berishën “non grata” nuk është i sinqertë
BKT
Shqipëri

Yuri Kim: Habia për Berishën “non grata” nuk është i sinqertë

Ambasadorja amerikane Yuri Kim deklaroi një intervistë për Zërin e Amerikës se kush thotë se është habitur nga vendimi i Departamentit amerikan të Shtetit për zotin Berisha, me gjasë nuk është shumë i sinqertë.

Zonja Kim shpjegon se kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme.

“Do të thoja që këto histori konspiracioni janë të pavend për një vend aleat në NATO dhe aspirant për në BE. Ditët e teorive të konspiracionit duhet t’i përkasin të shkuarës. Tani, e gjitha ka të bëjë me faktet. Dhe do t’ju them që procesi për përcaktimin e individëve, sidomos individëve të rëndësishëm, është një proces shumë i gjatë dhe shumë tërësor. Dhe, në kohën kur një vendim shkon përpara Sekretarit të Shtetit, pra që të nënshkruhet nga Sekretari i Shtetit, ai ka kaluar nëpër shumë e shumë nivele shqyrtimi. Mendoj se është e drejtë të thuhet që në shumicën e rasteve, në të gjitha rastet, dhe nuk flas vetëm për Shqipërinë, po flas për të gjithë botën, në momentin kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme. Dhe mendoj se ata që thonë se janë të habitur, me gjasë nuk po tregohen fort të sinqertë”.

Sipas Kim vendimi u mor 8 vjet pasi Berisha nuk është në pushtet, sepse procese të tilla kërkojnë shumë kohë.

“Shkuarja deri në fund të këtyre proceseve kërkon një kohë të gjatë. Përsëris, dua të sqaroj që nuk është pjesë e ndonjë teorie të çmendur konspirative që vë në shënjestër politikën e brendshme këtu. Uashingtoni nuk merret me diçka të tillë”.

E pyetur nëse ka ushtruar presion ndaj Bashës për të larguar Berishën ambasadorja Kim u shpreh:

“Shikoni, ky është një vend i lirë. Është vend aleat në NATO. Dhe udhëheqësit duhet të marrin përgjegjësi për vendimet e tyre. Për sa i përket Shteteve të Bashkuara, pozicioni ynë ka qenë shumë i qartë që nga fillimi në lidhje me personat e përcaktuar. Dhe, nuk kam gjë tjetër për të shtuar për këtë çështje”.

Ambasadorja amerikane komentoi edhe kritikat se ka mbajtur qëndrime më afër me qeverinë se sa me opozitën.

“Kjo është një akuzë me të cilën përballen diplomatë amerikanë kudo në botë dhe diplomatët në përgjithësi. Shpresoj që njerëzit të kuptojnë që si diplomatë, e dini, mua më ka dërguar Presidenti amerikan për të përfaqësuar interesat tona pranë qeverisë shqiptare. Pra, ka një arsye që kur vjen një diplomat amerikan, ai ose ajo shkon tek kreu i shtetit dhe paraqet letrat kredenciale.

Pra, detyra ime e parë, përparësia ime e parë është të sigurohem që qeveritë tona të kenë një marrëdhënie të mirë pune. Por përtej kësaj, diplomacia ka të bëjë me më shumë se thjesht qeveri me qeveri; ka të bëjë edhe me marrëdhënien njerëz me njerëz, madje edhe bizneset. Dhe prandaj më shikoni mua dhe diplomatë të tjerë në ambasadën amerikane të udhëtojmë rretheqark vendit, sepse kemi punë këtu në Tiranë me zyrtarë qeveritarë, por kemi shumë më tepër punë – dhe kur them punë, flas për marrëdhëniet – me pjesën tjetër të Shqipërisë.

Prandaj takohem kaq shpesh me anëtarët e opozitës, qoftë zotin Basha apo një numër njerëzish të tjerë. Dhe kam në plan të vazhdoj të udhëtoj rretheqark Shqipërisë sepse dua të takohem me qytetarë të thjeshtë. Dua të di se ç’kanë në mend ata”.

Kim tha se Vetting-u mbetet themeli i Reformës në Drejtësi dhe ajo ka takuar personalisht anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, punën e të cilëve e ka quajtur të rëndësishme. “Ka ende shumë gjyqtarë dhe prokurorë që mbeten për të kaluar Vetting-un” tha Kim duke vlerësuar punën e KPK-së./tvklan.al


MË SHUME NGA Shqipëri