Basha paralajmëron: Një stinë e re po troket në dyert e politikës shqiptare
Në fjalën e mbajtur sot në Kuvend kreu i PD-së, Lulzim Basha, theksoi se demokracia shqiptare ka vdekur dhe ekzekutori i saj është Kryeministri Edi Rama.
Kreu i selisë blu paralajmëroi se kthimi i demokracisë dhe legjitimitetit në Shqipëri është një kushtrim në këtë stinë të re që ka trokitur në dyert e politikës shqiptare, ku asgjë nuk ka për të qenë më si më parë.
Kryedemokrati u zotua për një reformë zgjedhore, një reformë të re terroitoriale dhe për realizimin e ndryshimeve kushtetuese.
Basha iu përgjigj edhe ftesës së Ramës për “për bashkëpunim pa kushte”. “Natyrisht kam dëgjuar edhe fjalët e përgjegjësit për krizën e thellë të vendit, kur thotë se është i hapur për bashkëpunim pa kushte nëse ne nuk shajmë Shqipërinë në gjuhë të huaj. Në radhë të parë, nuk e kemi bërë kurrë. Në radhë të dytë, të shash Shqipërinë në gjuhë të huaj do të thotë të sajosh histori si ajo e Griseldës për të penguar vizat dhe ta trumbetosh nëpër Europë si krim të qeverisë shqiptare. Por këtë nuk e kemi bërë ne, kjo është vepra e poshtërsisë tënde karshi shqiptarëve kur ishe në opozitë”, shtoi ai./panorama























