Helen Mirren udhëheqëse e emisionit garues për “Harry Potter”

Helen Mirren udhëheqëse e emisionit garues për “Harry Potter”

Aktorja: Shumë e kënaqur që marr pjesë në 20-vjetorin e filmit

Aktorja veterane, Helen Mirren, pritet të jetë udhëheqëse e emisionit garues me pesë episode “Harry Potter: Hogëarts Tournament of Houses”. Fituesja e çmimit “Oscar” është shprehur e nderuar që do të jetë pjesë e projektit, i cili do të transmetohet si pjesë e 20-vjetorit të serisë së filmave të njohur për magjistarin e famshëm britanik.

“E dija se një ditë do të merrja një rol në Harry Potter, pra, jam shumë e kënaqur që do të marrë pjesë në festën e 20-vjetorit të filmit”, ka thënë aktorja Mirren. Emisioni pritet të transmetohet në fund të vitit 2021 në HBO Max. “Filmi ka frymëzuar shumë mrekulli për ne, prandaj do të jetë diçka e veçantë që të rikthejmë magjinë për fansat që vazhdojnë të jenë pjesë e saj në këtë botë”, ka thënë aktorja britanike.

“Hogwarts Tournament of Houses” do të ketë garues në disa lojëra dhe më të mirët do të marrin trofeun House Cup. “Warner Media është duke krijuar një arenë për ligën e ‘Harry Potter’, këtu fansat do të shfaqin diturinë e tyre për botën magjike. Askush më mirë se Helen Mirren nuk do t’i shtonte hijeshinë britanike të kësaj ngjarjeje”, ka thënë presidenti i Warner Bros, Tom Ascheim.