Qeveria përgjegjëse për situatën e minierave
BKT
Shqipëri

Qeveria përgjegjëse për situatën e minierave

Për Presidentin e Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, qeveria është përgjegjëse për situatën problematike në miniera.

Sipas tij mungesa e kontrolleve dhe aktiviteti i minierave pirate po u marrin jetën punëtorëve në Bulqizë.

Në një intervistë për Euronews Albania, Nikollaj tha se në zonën D të galerive minerare në Bulqizë, ku Muharrem Plaku humbi së fundmi jetën, zhvillojnë aktivitet mbi 30 kompani private në kushte kaotike të cilat nuk duhet të licencoheshin.

“Që nga pamja që shikohet, një vrimë minjsh, kjo nuk mund të jetë minierë, është turp dhe fyerje e gjithë inteligjencës, që ato të quhen miniera dhe ne vazhdimisht e kemi ngritur problemin që këto miniera nuk duhen licencuar,” – theksoi Nikollaj.

Presidenti i Konfederatës së Sindikatave shtoi se pavarësisht se disa prej kompanive u është hequr licenca, ai ka parë që ato kanë vijuar punën në mënyrë pirate.

“Kam parë në faqen e ministrisë që disa licenca janë hequr, por në të vërtetë ata punojnë të gjithë,” – shtoi Nikollaj.

Problemi për situatën sipas Nikollajt qëndron te fakti se strukturat kontrolluese nga ana e shtetit janë qeveritare, nën varësinë e ministrive.

“Faji kryesor është te qeveria, qeveria duhet të jetë e përgjegjshme për qytetarët, zbatimin e ligjit dhe krijimin e hapësirave të grupeve të interesit, përfshirë këtu edhe sindikatat,” – tha Nikollaj duke mos përjashtuar këtu as sindikatat që duke qenë të fragmentarizuara “shfaqin pengesa”.

“Vartësia e strukturave kontrolluese duhet larguar nga qeveria, ato duhen të jenë agjenci ligjzbatuese të pavarura, për sa kohë do të jenë kështu do të kemi të njëjtën situatë,” – u shpreh Nikollaj.


MË SHUME NGA Shqipëri