Bebe Rexha: Jepini vetes tuaj një kompliment së paku një herë në ditë
Sharr Travel

Bebe Rexha: Jepini vetes tuaj një kompliment së paku një herë në ditë

Artistja shqiptare me renome botërore, Bebe Rexha, ka zhvilluar së fundmi një bisedë virtuale me autorin e famshëm Jay Shetty në rrjetin social Facebook.

Rexha dhe Jay diskutuan para mijëra ndjekësve në rrjetet sociale për shëndetin mendor, duke vënë në dukje faktin se si këngëtarja shqiptare gjithmonë ka folur hapur rreth kësaj teme.

Ajo madje tregoi se shumica e këngëve të saj janë frymëzuar nga jeta reale dhe konkretisht ballafaqimi me shëndetin mendor.

32-vjeçarja vuri në dukje se si një nga hitet më të mëdha në karrierën e saj, me titull “I’m a mess” ishte parë me paragjykim nga stafi i saj për shkak të titullit, i cili thotë “Unë jam një rrëmujë”, por që ajo ishte e vendosur të realizonte një këngë me tematikë të tillë – dhe që rezultoi skajshmërisht e suksesshme.

Nga biseda e zhvilluar me autorin e njohur, Rexha ndau me ndjekësit vazhdimisht mesazhe me qëllim motivimi dhe një prej tyre u ripublikua nga një faqe e fansave të saj në Instagram, të cilën Bebe Rexha e rishpërndau më vonë në InstaStory.

“Jepi vetes të paktën një kompliment në ditë, ti e meriton dreqi e marrtë”, lexohej në këtë deklaratë të thënë nga artistja shqiptare.

Bebe Rexha përndryshe sivjet nxori në treg edhe një album të quajtur “Better Mistakes”, i cili ngërthen në vete plot këngë që trajtojnë temat e shëndetit mendor.

“Unë thjesht dua, e dini, njerëzit dhe fëmijët në të gjithë botën të mos ndihen vetëm dhe të dinë se ata janë të fortë dhe ata mund të kapërcejnë gjithçka për të cilën ata mendojnë. Dhe, thjesht doja të shkruaja këngë që i bëjnë njerëzit të mos ndihen sikur janë vetëm dhe mund të dëgjojnë këngët e mia dhe ta dinë që unë jam aty për ta”, tha Rexha në një intervistë për Telegrafin pas publikimit të albumit.

Ky album është i dyti në karrierën e saj pas “Expectations” të publikuar në vitin 2018. 


MË SHUME NGA Magazina