Dënohet me 2 vjet burg ish-kryeprokurori, Adriatik Llalla
BKT
Shqipëri

Dënohet me 2 vjet burg ish-kryeprokurori, Adriatik Llalla

Gjithashtu ka edhe dënim tjetër, që zotit Llalla i hiqet për 5 vjet e drejta e ushtrimit të funksioneve publike si dhe konfiskim pasurie.

Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për të dënuar me dy vjet burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla.

Gjithashtu ka edhe dënim tjetër, që zotit Llalla i hiqet për 5 vjet e drejta e ushtrimit të funksioneve publike si dhe dhe konfiskim pasurie.

Akuzat kundër ish-Kryeprokurorit ishin “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tre herë, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi (2) i Kodit Penal, por mbeti vetëm ajo për mosdeklarim.

Ish-Kryeprokurori nuk ishte i pranishëm pasi kurohet nga një sëmundje e rëndë i shtruar në spital, ndonëse nuk ka të dhëna për vendndodhjen e tij.

Avokatura e zotit Llalla tha se vendimi ishte “copy paste të gjitha pretendimeve të hetimit pa konsideruar asgjë nga mbrojtja”.

Avokati Sokol Hazizaj theksoi se vendimi i Apelit ishte i paracaktuar dhe nuk është vërtetuar asnjë akuzë që është ngritur nga prokuroria, njoftoi korrepondenti Denion Ndrenika.

“Jemi me gjykim të padrejtë. Di që Llalla është në spital, kaq di. Unë jam avokati i tij dhe jam këtu, para jush. Gjykata, edhe e Shkallës së Parë, edhe e Apelit, ka bërë copy paste të gjitha veprimet procedurale, asgjë tjetër. Do t’i ndjekim të gjitha hallkat, deri në Gjykatën e Lartë. Nuk e di ku ndodhet Llalla, nuk kam komunikim sa i përket anës shëndetësore të ish-kryeprokurorit, kam komunikim vetëm për anën procedurale”, tha avokati Hazizaj, raportoi “News 24”.

Prokuroria e Posaçme SPAK kërkoi që Apeli ta linte në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë kundër ish-Kryeprokurorit, Adriatik Llalla.

Pritet që prokuroria të ekzekutojë vendimin e Apelit. Ky është rasti i parë që një Prokuror i Përgjithshëm në Shqipëri dënohet me 2 vite burg për një akuzë të tillë.

Zotit Llalla iu sekuestruan në favor të shtetit 4 sipërfaqe toke me gjithsej 22 mijë metra katrorë dhe 1 apartament në Durrës.


MË SHUME NGA Shqipëri