Samuel Eto’o kërkon presidencën e Federatës së Futbollit në Kamerun
Samuel Eto’o pas tërheqjes nga futbolli i luajtur ka vendosur t’i japë një tjetër drejtim jetës së tij profesionale. Ish sulmuesi i Interit dhe Barcelonës, bëri të ditur kandidaturën e tij për postin e Presidentit të Federatës Kamerunase të Futbollit, me zgjedhjet që do të mbahen në fund të këtij viti.
“Ndihem shumë i nderuar dhe i lumtur që prezantoj kandidaturën time për postin e presidentit”, – bëri të ditur ish sulmuesi nëpërmjet një komunikate për shtyp në rrjetet sociale, duke konfirmuar zërat që kishin qarkulluar prej ditësh në mediat lokale.
Ne zgjedhjet e kaluara Eto’o mbështeti kandidaturën e presidentit aktual Seidou Mbombo Njoya, por siç shkruan në komunikatë, projekti i tij nuk i ka përmbushur pritshmëritë e tij. Në të njëjtën kohë, Eto’o bëri të ditur se do ta dhurojë pagën e tij të përmuajshme që do të marrë nga Federata në mbështetje të projekteve për futbollin amator.
Për sa i përket Kupës së Afrikës që do të zhvillohet në janar të vitit 2022 në Kamerun, Eto’o siguroi se turneu do të jetë një mundësi për t’i treguar botës talentin e jashtëzakonshëm që ka në futboll vendi i tij.
Eto’o, futbollisti me më shumë tituj në kontinentin e tij, është zgjedhur si futbollisti afrikan i vitit në 2003, 2004, 2005 dhe 2010, teksa që nga 1997 deri në 2014 ka luajtur 118 takime me kombëtaren e Kamerunit për të cilën ka shënuar 56 gola. Në karrierën e tij që shtrihet përgjatë më shumë se dy dekadave, sulmuesi ka veshur fanellat e disa skuadrave të mëdha si Real Madrid, Barcelona, Inter e Chelsea.























