BTS performojnë live në selinë e OKB-së
BKT
Magazina

BTS performojnë live në selinë e OKB-së

Prezantojnë këngën e re “Permission to Dance”.

Grupi i njohur nga Koreja e Jugut, “BTS”, kanë performuar live me këngën e tyre të re “Permission To Dance”, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Shtatë anëtarët e bandës së muzikës K-pop të cilët së fundmi u emëruan të dërguar special të OKB-së për brezat dhe kulturën e ardhshme, dhanë edhe një fjalim në asamble para se të interpretonin këngën që u xhirua brenda ndërtesës së famshme. 

Në fjalimin e tyre “BTS” deklaruan:

“Ndodhemi sot këtu për t’i ndarë me ju tregimet e gjeneratave të së ardhmes. Para se të vinim këtu i kemi pyetur të rinjtë anembanë botës për dy vitet e fundit dhe botën ku e gjejnë veten sot. Mendojmë që në vend se të quhemi ‘gjenerata e humbur’, një term më i përshtatshëm do të ishte ‘gjenerata e mirëpritur’. Sepse në vend që t’i frikësohet ndryshimit, kjo gjeneratë tregohet mikpritëse dhe vazhdon të ecë përpara”. 

Këngëtarët folën edhe për rëndësinë e vaksinimit. 

“Ne mendojmë se dita kur mund të takohemi përsëri ballë për ballë nuk është larg. Gjithashtu besojmë se çdo zgjedhje që bëjmë është fillimi i ndryshimit. Shpresojmë që në këtë botë të re të gjithë të mund t’i themi njëri-tjetrit: ‘Mirë se vini!’”

Kjo është hera e tretë që grupi i famshëm jep fjalim në Kombet e Bashkuara. Ngjarja ishte pjesë e programit të Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm në OKB dhe synon t’u sigurojë udhëheqësve botërorë një platformë për t’i prezantuar planet, veprimet dhe zgjidhjet që nevojiten për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19.

 


MË SHUME NGA Magazina