Balluku merr pjesë në forumin e energjisë dhe klimës P-TECC, në Varshavë

Balluku merr pjesë në forumin e energjisë dhe klimës P-TECC, në Varshavë

Shqipëria ka marrë pjesë në takimin për bashkëpunimin strategjik mes vendeve evropiane dhe SHBA rreth masave që duhen marrë në energjitikë për reduktimin e pasojave të ndryshimeve klimaterike.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, paraqiti përballë vendeve pjesëmarrëse strategjinë e Shqipërisë në sektorin e energjitikës ku vitet e fundit po bëhen përpjekje serioze për rritjen e sigurisë dhe diversifikimin e sektorit – aktualisht mbi 95% e prodhimit të energjisë në Shqipëri vjen nga shfrytëzimi i burimeve të ujit.

Ndër projektet kryesore të Shqipërisë për diversifikimin e sektorit mbeten ndërtimet e parqeve fotovoltaike të prodhimit të energjisë përmes shfrytëzimit të dritës së diellit. Ndërsa në sigurinë po investohet në rinovimin e linjave dhe infrastrukturës së transmetimit.

Ministeriali i Bashkëpunimit Transatlantik për Energjinë dhe Klimën (P-TEEC) u zhvillua këtë vit në një takim dyditor në Poloni nën kujdesin e Departamentit Amerikan të Energjisë, transmeton euronews.albania.

Nisma P-TECC u krijua si një mundësi për rritjen e bashkëpunimit midis SHBA dhe vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore për sigurinë e energjisë dhe kalimin në ekonomi të pastra, neutrale ndaj karbonit.

Takimi i këtij viti kishte në fokus bashkëpunimin strategjik mes vendeve lidhur me masat e menjëhershme dhe afatgjata që duhen ndërmarrë për reduktimin e dëmit, që shkakton ndryshimi klimaterik, ku një faktor i rëndësishëm janë edhe një pjesë e konsiderueshme e mënyrave të prodhimit të energjisë.


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare