Legalizimet, miratohen 610 milionë lekë për kompensimin e pronarëve

Legalizimet, miratohen 610 milionë lekë për kompensimin e pronarëve

Pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në zonat Tiranë Veri, Tiranë Jug, zonat e stimuluara, Elbasan, Kamëz–Vorë, Vlorë, Sarandë, Lushnjë, Gjirokastër, Durrës, Tiranë Rurale 1, Fier, Lezhë dhe Shkodër 2.

Në vendimin e qeverisë i cili është publikuar sot në Fletoren Zyrtare përcaktohet se masa e kompensimit është 67 652 m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 610. 2 milionë lekë.

Vendimi përcakton se për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.

“Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen”, thuhet në vendim. /atsh