​Derbi Malisheva-Ballkani, Thaçi tregon “armën e fortë”
Sharr Travel

​Derbi Malisheva-Ballkani, Thaçi tregon “armën e fortë”

I ndanë vetëm një pikë në kreun e tabelës dhe të dielën do të ballafaqohen në kuadër të xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës. Bëhet fjalë për Ballkanin dhe Malishevën, skuadra këto që do t’i provojnë forcat në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë nga ora 16:00.

Në klubin e Malishevës po zhvillohen stërvitje me intensitet të lartë nën urdhrat e trajnerit Arsim Thaçi para kësaj ndeshje dhe si trajneri ashtu edhe lojtarët shprehen të bindur se mund të marrin rezultat pozitiv nga kjo sfidë.

Duke u shprehur i kënaqur me rezultatet e skuadrës së tij në këtë fillim të sezonit, Thaçi thotë për KosovaPress se në rast të një fitoreje ndaj Ballkanit, atëherë te Malisheva do të flitet për objektiva të tjera.

“Unë jam i kënaqur me këtë fillim të kampionatit duke e ditur se lojtarët e kanë marr me seriozitet shumë të madh secilën lojë edhe kanë qenë të përkushtuar edhe kuptohet si rezultat i asaj edhe i kemi pasur këto rezultate. Shpresojë që edhe në ndeshjet e ardhshme, sidomos në këtë ndeshje me Ballkanin. Nëse në këtë ndeshje tregojmë që do të jemi të paktën të barabartë me Ballkanin ose eventualisht nëse e fitojmë këtë ndeshje, atëherë mund të flasim për disa objektiva të tjera.”, theksoi Arsim Thaçi.

Më tutje, duke folur për KosovaPress, trajneri i Malishevës tregon armën e fortë të skuadrës së tij, derisa për Ballkanin thotë se ka lojtarë që në aspektin individual janë më të mirët në Kosovë,

“E para, Ballkani ka një ekip shumë cilësor. Për mendimin tim ka lojtarë në aspektin individual që janë më të mirët në Kosovë. Ekipi është shumë cilësor i Ballkanit, kuptohet, por edhe rezultatet këtë sezon janë shumë pozitive. Tani, Malisheva ndoshta nuk ka nivelin e lojtarëve në aspektin individual çfarë e ka Ballkani mirëpo ekipi ynë është një ekip që luan si grup dhe mendoj se ajo është arma kryesore e jona dhe në atë mënyrë do t’i kundërvihemi edhe Ballkanit dhe shpresojmë që në atë ndeshje të kemi një fitore me vet faktin që luajmë si vendas dhe të mund të kemi një lloj stabiliteti dhe qetësie për të punuar”, thotë ai.

Thaçi gjithashtu pati një mesazh për ish-sulmuesin Albion Rrahmani i cili e braktisi Malishevën për t’u bashkuar pikërisht me rivalin e tyre të së dielës.

Sa i përket Albion Rrahmanit, unë mendoj se ka bërë një gabim që ka shkuar te Ballkani me vet faktin që ka luajtur një sezon të jashtëzakonshëm me Malishevën edhe besoj që edhe këtë vit do të kishte dhënë një kontribut shumë të madh...Si do që të jetë është zgjedhja e tij, ne si klub i kemi dhënë mundësi që të shkojë ku kishte gatishmërinë dhe ne në këtë sezon nuk kam parë që është aktivizuar...mirëpo nëse ai futbollist nuk ka gjatë gjithë sezonit nuk aktivizohet atëherë karriera e tij do të shkojë në rënie e sipër.”, theksoi trajneri i Malishevës.

Nga ana tjetër, kapiteni i klubit Dren Kryeziu thotë se pas paraqitjeve të mira në pesë ndeshjet e para janë rritur synimet e klubit aq sa po mendohet që fundi i sezonit t’i gjejë të renditur në top katërshen e renditjes tabelare

“Gjendja është mjaftë e mirë, jemi përgatitur mjaftë mirë. Këto pesë lojë që i kemi zhvilluar kemi bërë paraqitje mjaftë të mira...Normal që rriten synimet, si paraqitje normal që i rrisim edhe synimet. Nëse paraqitemi si jemi duke luajtur pse jo edhe të jemi ne top katërshe...Jemi përgatitur mjaftë mirë dhe shpresojmë që të fitojmë por duhet respektuar edhe Ballkanin sepse është një ekip mjaftë e mirë.”, tha Kryeziu.

Kurse Mërgim Pefqeli, i cili iu bashkua Malishevës nga Prishtina gjatë afatit kalimtar veror thotë për KosovaPress se sfida me Ballkanin do të jetë shumë e vështirë dhe se fituesi do të përcaktohet nga detajet e vogla.

“Mendoj që do të jetë një lojë shumë e vështirë, që do ta caktojë rasti më i vogël do ta përfundojë ndeshjen. Unë mendoj që të nxjerrim diçka nga kjo ndeshje mos ta dalim me humbje...Edhe Ballkani luajnë në fushe sintetike, besoj se nuk do të jetë shumë ndonjë avantazhi po besoj qe si vendas edhe e kemi tifozerinë “Tornado” që do ta na ndihmojë shumë dhe mendoj se do t’i bëjmë ballë Ballkanit”, tha në fund Pefqeli.

Pas pesë ndeshjeve të para, Ballkani është lider i tabelës me 11 pikë, kurse Malisheva është e treta me vetëm një pikë më pak.