Presidenti Ilir Meta dekoroi figurat e Kryengritjes së Ded Gjo Lulit

Presidenti Ilir Meta dekoroi figurat e Kryengritjes së Ded Gjo Lulit

110 vjet më parë Ded Gjo Luli ngriti në Deçiq të Shqipërisë Veriore, sot në shtetin malezez, Flamurin e Vetëm Kombëtar të Shqiptarëve. 

Kryengritja e Ded Gjo Lulit ishte pararendëse e Kryengritjes së Madhe të 31 Majit 1912 që përfundoi me Pavarësinë e Shqipërisë në 28 Nëntor 1912 në Kuvendin e Vlorës të mbështetur në vendimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të 10 Qershorit 1878. 

“Jam shumë i lumtur, që ndodhemi së bashku, për të nderuar një nga kryengritjet më të rëndësishme, që i parapriu Pavarësisë së Shqipërisë, ngritjen e Flamurit Kombëtar në Deçiç”-tha Presidenti Ilir Meta kur mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë historike, kulturore dhe artistike të Shoqatës “Kënga Jonë”, që u zhvillua në Shkodër.

Me rastin e 110-vjetorit të kësaj ngjarjeje madhore të kombit shqiptar, gjatë kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe të Kuvendit historik të Grecës, presidenti dekoroi katër patriotë të veçantë, që siç tha zoti Meta, kujtojnë se mendja, sytë dhe shpirti luftarak i shqiptarisë ishin drejtuar në zemrën e Malësisë, në këtë vatër të atdhedashurisë.

“Vitet 1910-1911 ishin vite të zhvillimeve të stuhishme, pasi dhuna dhe represioni i pushtuesit otoman kishte detyruar të linin trojet, duke u larguar nga shtëpitë shumë qendrestarë e patriotë të spikatur shqiptarë. Kjo situatë solli krijimin e Komitetit të Kryengritjes, apo Komitetin e Podgoricës, të cilët të udhëhequr nga legjendari Ded Gjon Luli, më 24 mars 1911, filluan Kryengritjen e Malësisë”-tha presidenti, raporton korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.

Kryengritja shumë shpejt mori përmasa të jashtëzakonshme dhe pas sukseseve të dy javëve të para, në 6 prillit 1911, trimat e Malësisë, të mbështetur dhe nga përfaqësues të viseve të tjera, çuan në vend amanetin e Gjergj Kastriotit, duke shpalosur flamurin kombëtar me shqiponjën dykrenore në Deçiç.

Sipas presidentit Meta, në ë këtë kryengritje nuk ushtoi vetëm pushka dhe trimëria, por spikati dhe mendja e pena diplomatike e prijësve, që realizuan Kuvendin historik të Greçës. 12 kërkesat e memorandumit, të shkruara në këtë kuvend, kishin në themel lirin, mëvetësinë dhe Flamurin Kombëtar.

“Kryengritja e Malësisë dhe gjithë përpjekjet e popullit tonë, për liri e pavarësi, janë udhëhequr e drejtuar nga udhëheqës të zotë, të pushkës e penës, njëri prej të cilët ishte dhe mbetet përgjithmonë Prek Cali, lindur në vitin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në familjen e Hasanajve të Kelmendit”-tha zoti Meta.

Kreu i Shtetit çmoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” luftëtarin e paepur dhe atdhetarin legjendar Prekë Cali (pas vdekjes) “Për kontribut të shquar në mbrojtjen e kufijve shqiptarë në Kelmend të Malësisë së Madhe, gjatë viteve 1911-1926. Në nderim të sakrificave të tij sublime, që lartësuan flamurin kombëtar, duke luftuar deri në vetëmohim për liri dhe mëvetësi”.

Presidenti u ndau Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” atdhetarëve të shquar:

Pretash Zekë Ulajn (pas vdekjes) “Në vlerësim të kontributeve të spikatura si komandant i flamurtarëve të Kojës, në ngritjen e flamurit në malin e Deçiçit, më 6 prill 1911. Me mirënjohje dhe nderim ndaj sakrificave, atdhetarizmit dhe patriotizmit të treguar për të lartësuar flamurin kombëtar dhe vlerat liridashëse të shqiptarëve”;

Prekë Gjolajn (pas vdekjes) “Me mirënjohje ndaj kontributeve dhe akteve trimërore me pushkë e me penë në dorë për lirinë dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare të Malësisë së Madhe e më gjerë, gjatë viteve 1911-1921. Në nderim të sakrificave dhe atdhetarizmit të treguar për të lartësuar flamurin kombëtar.”;

si dhe Kolë Maç Smajlajn (pas vdekjes) “Me mirënjohje ndaj kontributeve të shquara për mbrojtjen e trojeve shqiptare në vitet 1911-1921, duke luftuar deri në vetëmohim. Në nderim të sakrificave dhe atdhetarizmit të treguar për të lartësuar flamurin kombëtar”.


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare