Rama: Paqja në Ballkan, e papërfunduar pa u zgjidhur njohja e Kosovës
BKT
Lajme

Rama: Paqja në Ballkan, e papërfunduar pa u zgjidhur njohja e Kosovës

Kryeministri Edi Rama i tha Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen (Fon der Lajën) se paqja në Ballkan është e papërfunduar pa u zgjidhur njëherë e mirë çështjen e njohjes së Kosovës.

Ai tha se presidentja Fon der Lajën, si një prej bashkëpunëtorëve të ngushta të kancelares Angela Merkel, që nisi Berlinin, “e njeh mirë dhe e mbështet procesin siç është, për përafrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në, por edhe të rritjes së kapaciteteve brenda për brenda Ballkanit Perëndimor”. “Jemi në të njëjtën linjë për domosdoshmërinë që procesi të shtyhet përpara, që paqja e shumëkërkuar, e cila është e papërfunduar pa zgjidhur njëherë e mirë çështjen e njohjes së Kosovës, kërkon durim, dialog. Krijim të besimit reciprok mes palëve”, - tha zoti Rama.

Zoti Rama theksoi ndërkaq se “Open Ballkan” është zbatim i Procesit të Berlinit dhe se me bashkëbiseduesin e tij Fon der Lajën ndajnë të njejtën pikëpamje.

Zonja Fon der Lajën shtoi, duke iu referuar nismës “Open Ballkan”, se duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe kësisoj do të kenë mbështetjen e saj të plotë, raportoi korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika. “Çdo lloj iniciative brenda Procesit të Berlinit, apo bashkëpunuese mirëpritet prej nesh. Nuk duhet të shohim fjalët, por kontekstin. Të jetë proces i hapur, gjithpërfshirës, i shtyn të gjithë të ecin përpara, i fton të gjithë dhe thellon bashkëpunimin që të ketë integrim të thellë. Kjo është pjesë e procesit”-tha presidentja Fon der Lajën.

Për zonjën Fon der Lajën nëse shihet ecuria ekonomike, thellimi i marrëdhënieve dhe tregu i përbashkët rajonal, “Procesi i Berlinit është kuadri që po shtyn procesin dhe integrimin përpara si kuadër që 6 vendet e rajonit dhe ekonomitë e tyre nga të cilat përfitojnë”.

Sipas kryeministrit Rama, herët a vonë në “Open Ballkan” do të kyçen edhe shtetet e tjerë veç Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, përkatësisht Kosova, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi. Ai siguroi se Berlini dhe “Open Balkan” janë i njëjti proces me ndryshimin se i pari udhëhiqet nga partnerët ndërkombëtare, kurse i dyti nga ballkanasit.


MË SHUME NGA Lajme