Solskjaer: “Nëndetëset” i fundos… Cristiano
Ole Gunar Solskjaer pranon se pritshmëritë e Manchester Unitedit këtë sezon janë rritur, por këmbëngul se është në stol pikërisht për të fituar.
Tri humbje në katër ndeshjet e fundit e kanë shtuar presionin mbi teknikun norvegjez, ndërkohë që sot do të kërkojë tri pikët e para në Champions kundër Villarealit.
Presioni mbi të është rritur pasi në verë transferoi Cristiano Ronaldon, Sanchon dhe Rafael Varanin, ndërkohë që skuadra nuk fiton trofe prej vitit 2017.
Geri Nevil u bë ish-lojtari i fundit i cili tha se skuadra e ka detyrim që të fitojë një trofe në 18 muajt e ardhshëm dhe duhet të mësojë të luajë si një skuadër nëse kërkon të rivalizojë për titullin.
“Presioni është një privilegj. Të punosh në këtë ambient duhet ta përqafosh presionin. Duhet ta them se unë jam mbështetur dhe procesi i ndërtimit të skuadrës ka funksionuar mirë. Por ne jemi në një biznes rezultatesh dhe jemi këtu për të fituar”, tha Solskjaeri në konferencë.
Ai do të jetë pa shërbimet e kapitenit Herry Meguajër sonte dhe konfirmoi se dëmtimi muskulor i mbrojtësit në kofshë pritet ta lërë atë jashtë fushe për disa javë. “Djajtë” do të kërkojnë të hakmerren kundër Villarealit për humbjen në finalen e Ligës së Europës sezonin e shkuar. Por anglezët nuk i kanë mundur spanjollët në asnjë nga 5 precedentë. Katër përballjet e para kanë përfunduar në barazim 0-0.
Ronaldo ka luajtur në të katër takimet në Champions 2005- 2008. Por pasi u transferua te Reali në 2009, portugezi i fundosi “Nëndetëset e verdha”. Në 15 ndeshjet që CR7 luajti me fanellën e Realit kundër tyre, u shënoi 13 herë.
“Sigurisht që me Cristianon një gol është i sigurt. Kundër Villarealit ka shënuar 13 herë dhe do të thotë se argëtohet kundër tyre. I njeh mirë mbrojtësit e kësaj skuadre dhe është i vendosur për të shënuar sa herë zbret në fushë”.























