GLPS: Numër i vogël i lëndëve të zgjidhura për krim të organizuar
BKT
Lajme

GLPS: Numër i vogël i lëndëve të zgjidhura për krim të organizuar

Drejtësia Sot, platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) shpalos të gjeturat e analizës: “Trajtimi i rasteve të krimit të organizuar nga ana e prokurorisë dhe gjykatave për periudhën qershor 2019 – gusht 2021”.

Drejtësia Sot përmes këtij hulumtimi ka analizuar bazën ligjore për ndjekjen e veprës penale të krimit të organizuar, pastaj të dhënat statistikore të gjykatave dhe prokurorive në luftimin e kësaj dukurie, e deri tek sfidat e këtyre institucioneve në trajtimin e këtyre lëndëve. Gjatë analizimit të tyre vëmendje e veçantë u është kushtuar efikastitetit të institucioneve të drejtësisë në zhvillimin e hetimeve dhe gjykimin e rasteve të krimit të organizuar, pastaj efektin e pandemisë COVID-19 në procedimin e rasteve të tilla penale, e deri tek mangësit ligjore të aktakuzave dhe aktgjykimve të gjykatave.

Nga analizimi i këtyre aktakuzave Drejtësia Sot ka gjetur se:
1. Gjatë periudhës qershor 2019 – gusht 2021, Prokuroria Speciale (PSRK) ka ngritur një
numër të vogël të aktakuzave për krim të organizuar. Në gjykatë janë dorëzuar vetëm 10
aktakuza për këtë lloj të veprës penale. Drejtësia Sot gjithashtu ka vërejtur se numri më i
madh i aktakuzave të ngritura nga PSRK është ngritur për veprat penale që lidhen me
narkotikë. Pra gjatë periudhës raportuese, PSRK luftën e saj ndaj krimit të organizuar e
ka fokusuar më shumë në lëndët narkotike dhe veprat penale që lidhen me këto lëndë.
2. Drejtësia Sot duke analizuar numrin e rasteve të trashëguara, të pranuara dhe ato në
punë në gjykatat e Kosovës, vëren se gjykatat kanë arritur të zgjidhin një numër tejet të
vogël të rasteve të krimit të organizuar. Përgjatë gjashtë mujorit të dytë të vitit 2019
(janar – qershor), sipas të dhënave zyrtare dhe ato të monitorimit të Drejtësia Sot janë
zgjidhur vetëm 5 lëndë, prej gjithsej 60 lëndëve të cilat kanë qenë në punë. Po ashtu,
gjykatat nuk kanë treguar efikasitet të kënaqshëm as përgjatë vitit 2020, për faktin se
nga 59 lëndë të trashëguara dhe 6 të pranuara, kanë arritur të zgjidhin vetëm 5 raste të
krimit të organizuar. Ndërsa sipas të dhënave zyrtare të pranuara, në vitin 2021, është
përfunduar vetëm një lëndë në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës
Themelore në Prishtinë, kurse gjykatat tjera që kanë në punë raste të tilla nuk kanë
arritur të zgjidhin asnjë prej tyre.
3. Gjatë monitorimit është vërejtur se të gjitha gjykatat, e në veçanti Gjykata Themelore në
Prishtinë, pavarësisht numrit më të madh të rasteve, nuk ka caktuar seanca në formë
konsistente ndaj personave që janë duke u gjykuar për këto vepra penale në mënyrë që
lëndët e tyre të përfundojnë brenda një kohe të arsyeshme. Në bazë të të dhënave të
monitorimit të Drejtësia Sot, për periudhën raportuese qershor 2019- dhjetor 2020, nga
27 raste të krimit të organizuar që kanë qenë në punë janë mbajtur vetëm 80 seanca.
Ndërsa përgjatë vitit 2021, Drejtësia Sot ka raportuar për gjithsej 79 seanca, prej të
cilave 55 janë proceduar me rregull ndërsa 24 seanca kanë dështuar të mbahen.

Drejtësia Sot ngrit shqetësimin e saj për mos mbajtjen e seancave për rastet e krimit të
organizuar, veçanarisht në disa raste për të cilat aktakuzat janë ngritur para 5 viteve apo
më shumë, siç është rasti “TOKA apo rasti VIZAT”. Sipas vlerësimit të Drejtësia Sot, ky
veprim është tejet shqetësues pasi shpërfaq neglizhencën e kësaj gjykate në luftimin
dhe sanksionimin e krimit të organizuar.
4. Drejtësia Sot përgjatë monitorimit sistematik të sistemit prokurorial dhe gjyqësor, ka
gjetur se Gjykata Themelore në Mitrovicë ka një mungesë pothuajse absolute të
efikasitetit në zgjidhjen e rasteve të krimit të organizuar. Përkundër faktit se kjo gjykatë
në këtë periudhë ka pasur në punë 16 lëndë të krimit të organizuar, ka përdunduar
vetëm një të tillë. Në këtë gjykatë, gjatë periudhës raportuese janë caktuar vetëm 8
seanca, prej të cilave 2 janë mbajtur, 3 janë anuluar paraprakisht dhe 3 kanë dështuar.
5. Është vërejtur se pandemia COVID-19 ka kufizuar në masë të ndjeshme punën e
institucioneve të drejtësisë, në mesin e të cilave edhe të gjykatave. Në muajin mars
2020, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marrë vendim për të kufizuar përkohësisht
veprimtaritë gjyqësore ku përfshihet publiku, në të gjitha gjykatat e Republikës së
Kosovës. Kufizimi i veprimtarive gjyqësore por edhe hapja e ngadalshme e tyre, ka
pasur një ndikim të theksuar në procedimin e pandërprerë të rasteve të krimit të
organizuar. Kjo për faktin se çështjet penale të kësaj natyre karakterizohen nga një
numër i madh i të akuzuarve, e që nëse do të mbaheshin seanca gjyqësore do të rritej
rreziku i përhapjes së virusit COVID-19. Si rrjedhojë e kësaj, gjykatat tona për një
periudhë relativisht të gjatë të vitit 2020, pra në fillimin e pandemisë, nuk kanë mbajtur
seanca për raste të krimit të organizuar, me ç’rast kjo rrethanë ka dëmtuar efikasitetin e
tyre në përfundimin e lëndëve të kësaj natyre.
6. Përveç efikastietit jo të kënaqshëm të prokurorisë dhe gjykatave dhe ndikimin e COVID-
19, procedimi i rasteve të tilla është përcjellur me mangësi të ndryshme ligjore. Drejtësia
Sot, pas analizimit të disa aktakuzave, ka vërejtur se ato nuk përshkruajnë qartë
veprimet inkriminuese të të akuzuarve. Ky fakt, sipas vlerësimit të Drejtësia Sot ka
ndikim të madh në zhvillimin e procedurave gjyqësore për këto raste, pasi që tezat e
aktakuzave të tilla të paqarta dhe konfuze rrezikojnë që të mos vërtetohen në gjykatë.
Gjithashtu, Drejtësia Sot ka hasur në dy raste në të cilat ka gjetur mangësi në kualifikim
ligjor të veprës penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”. Kjo
për faktin se disa të pandehur janë akuzuar dhe gjykuar për ndihmë në kryerjen e
veprave penale që lidhen me krim të organizuar, e që në fakt ndihma dhe pjesëmarrja
në grup kriminal janë nocione përjashtuese nga njëra-tjetra.
Andaj nga të gjeturat e kësaj analize, Drejtësia Sot rekomandon që:
1. Prokuroria Speciale me rastin e ngritjes së aktakuzave për krim të organizuar, ato t’i
hartojë në mënyrën profesionale duke u bazuar në dispozitat e KPPRK dhe KPRK.
Pra, prokuroria ftohet që në aktakuzat e saja të përshkruaj qartë dhe në mënyrë
specifike veprimet inkrimunese të secilit të akuzuar për krim të organizuar. Kjo

nënkupton se duhet sqaruar roli, rëndësia dhe pesha e veprimeve të secilit nga
pjesëmarrësit e grupit kriminal të organizuar, bazuar në nenin 241 të KPPRK.
2. Drejtësia Sot, fton Gjykatat Themelore në Republikën e Kosovës, që të caktojnë
seancat gjyqësore për rastet e krimit të organizuar duke zbatuar udhëzimet dhe
rekomandimet e KGJK-së për mbarëvajtjen e procedurave gjyqësore në kohë të
pandemisë COVID-19.
3. Drejtësia Sot, fton Gjykatat Themelore në Republikën e Kosovës, respektivisht
gjyqtarët që gjykojnë rastet e krimit të organizuar, që të zbatojnë Udhëzuesin për
Politika Ndëshkimore të nxjerrur nga Gjykata Supreme e Kosovës, në mënyrë që të
vlerësohen drejtë të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese në matjen e dënimit
për këto raste;
4. Drejtësia Sot, fton KPK-në dhe KGJK-në që në bashkëpunim me Akademinë e
Drejtësisë të organizojnë trajnime për ngritjen e kapaciteteve profesionale të
prokurorëve dhe gjyqtarëve që trajtojnë rastet e krimit të organizuar. Duke parë
rëndësinë e trajtimit efikas dhe profesional të rasteve të krimit të organizuar,
Drejtësia Sot konsideron se trajnimet duhet të përfshijnë rritjen e aftësive
profesionale në ndjekjen e të gjitha veprave penale që lidhen me krim të organizuar,
e të cilat kryesisht kanë të bëjnë me narkotikë, trafikim me armë apo me njerëz. Kjo
nga fakti se në bazë të të dhënave të Drejtësia Sot, PSRK-ja dhe gjykatat më së
shumti kanë në trajtim lëndë të këtyre natyrave. Në programin trajnues kornizë të
Akademisë së Drejtësisë për vitin 2021-2022 është paraparë një program trajnues
me titullin “Krimi i Organizuar dhe Korrupsioni”, si dhe një program tjetër me titull
“Veprat penale kundër narkotikëve – me theks të veçantë kur kryhen në formë të
organizuar”. Drejtësia Sot konsideron se Akademia Drejtësisë duhet të organizojë
trajnime specifike edhe për Krimin e organizuar që ka të bëjë me trafikim me armë
dhe me njerëz. Gjithashtu kërkohet që trajnimet që kanë të bëjnë me krimin e
organizuar të jenë më të shpeshta dhe intenzive;
5. Drejtësia Sot, fton KGJK-në që të hartojë një strategji për gjyqtarët në përgjithësi që
lëndët e kësaj natyre t’i trajtojnë me prioritet të lartë dhe që mos të lejojnë zvarritjen e
tyre për kohë të gjatë.


MË SHUME NGA Lajme