Escobar: Është e drejtë e Kosovës që të zbatojë reciprocitetin
BKT
Lajme

Escobar: Është e drejtë e Kosovës që të zbatojë reciprocitetin

Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar në një audio-konferencë me gazetarë ka folur për situatën në Kosovë pas vendosjes së reciprociteti për targa me Serbinë.

Escobar i ka dhënë të drejtë Kosovës për reciprociteti, por që ka thënë se janë kapur në befasi.

Escobar: Është e drejtë e Kosovës që të zbatojë reciprocitetin

“Është e drejtë e Qeverisë së Kosovës që të zbatojë reciprocitetin, ky ishte një përparim i madh. Zbatimi aktual i tij, mendoj se na kapi pak në befasi, por përfundimisht, kjo do të ndodhte. Dhe jam i kënaqur që ne ishim në gjendje të ulnim tensionet që erdhën me zbatimin e reciprocitetit, dhe në planin afatgjatë, ne po kërkojmë një zgjidhje më të qëndrueshme, një zgjidhje më evropiane për çështjen e targave”, tha ai.

Escobar e ka quajtur sukses të madh arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Escobar: Sot ishte një sukses i rëndësishëm

“Mendoj se sot ishte një sukses i rëndësishëm dhe do të doja të nënvizoja dy gjëra. Njëra është se dialogu i udhëhequr nga BE-ja është me të vërtetë një mënyrë për gjetjen e zgjidhjeve dhe ata e përmbushën atë rol sot, dhe ne jemi shumë krenarë për palët për shfaqjen e fleksibilitetit dhe angazhimit për gjetjen e zgjidhjeve”, tha ai.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, ka thënë se qëllimi i vizitës së tij ishte të tregojë mbështetje për dialogun, por edhe dëshmia e partneritetit që kanë me Bashkimin Evropian.

Ai u pyet edhe për vendosjen e KFOR-it në pikat kufitare, ashtu siç është paraparë me këtë marrëveshje.

Tha se roli i KFOR -it është të ofrojë siguri në rajon dhe ata e kanë bërë atë në mënyrë efektive. Por shtoi se funksionet e brendshme janë përgjegjësi e institucioneve përkatëse shtetërore.

Escobar: Presim që pikat kufitare të operojnë si më parë

“Por roli i tyre nuk është të marrin përsipër funksionet që duhet të jenë funksione të brendshme. Shpresa jonë është që, si rezultat i kësaj marrëveshjeje, që të mos ketë nevojë për ndonjë njësi speciale, ne e presim atë, dhe ne presim që pikat kufitare të operojnë si më parë”, tha ai.

Escobar foli edhe për zotimet e marra në Uashington në shtator të vitit të kaluar, për të cilat tha se janë të rëndësishme, veçanërisht moratoriumi mbi mos-njohjet dhe njohjet.

Escobar: Zotimet në Uashington ndihmojnë palët në dialog

“Mbajtja e asaj pjese të marrëveshjes, do t'i japë dialogut një hapësirë për të zgjidhur çështje më të gjera. Për sa i përket Ujmanit, unë e shikoj atë, si një strategji më të gjerë rajonale të energjisë. Ka shumë gjëra që po ndodhin në Ballkan tani në lidhje me energjinë, dhe njëra prej tyre është se ka një potencial në rritje për energji të rinovueshme, dhe Ujmani do të jetë pjesë e asaj zgjidhjeje, por zgjidhjet duhet të jenë racionale, dhe ato do të kontribuojnë jo vetëm në kërkesat e tyre ndaj BE-së, por edhe në lidhje me zbutjen e efekteve të ndryshimit të klimës. Pra, Ujmanin ende e kemi parasysh”, tha ai.

Megjithatë Escobar u shpreh optimist se së bashku me BE-në dhe shtetet e QUINT-it do të angazhohen për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për të dyja palët, por kjo sipas tij do të marrë kohë.


MË SHUME NGA Lajme