Sonte në RTK shfaqet VIRUSSIA 3
Sonte në RTK3 (ora 20:10) dhe RTK 1 (ora 23:50) shfaqet pjesa e tretë e dokumentarit VIRUSSIA.
Tema e trajtuar në këtë pjesë ka të bëjë me ndërhyrjet e diplomacisë ruse në Ballkanin Perëndimor.
Ngjarjet e fundit në veri të Republikës së Kosovës dhe implikimet e Federatës së Rusiësë, qoftë përmes luftës hibride apo edhe vet ambasadorit rus në Beograd, janë ngjarje të ngjashme me atë çfarë trajton pjesa e tretë e dokumentarit VIRUSSIA.
Pikërisht ish-ambasadori rus në Serbi Alexandr Konuzin ishte që kishte ndërhyrë te serbët e veriut në vitin 2012, duke i mbështetur protestuesit e barrikadave në komunat veriore të Kosovës.
Madje, në këtë pjesë tregohet se si një lëvizje e sotme politike në Serbi është themeluar pikërisht në barrikadat e serbëve në veri të Kosovës.
Presioni diplomatik që Rusia ka ushtruar veçmas në Serbi, ka reflektuar në secilin shtet të rajonit, duke krijuar konflikte të vazhdueshme. Tregime të tjera flasin edhe për ngjarje të veçanta në Serbi, BeH, Mal të Zi e Maqedoninë Veriore.
Në këtë pjesë, nga pjesëmarrësit, me tregime dhe vlerësime të veçanta, ndër më aktivët janë ish-shefi i diplomacisë serbe Vuk Draskovic, por gjithashtu edhe ish-shefi i diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj.
Në këtë pjesë të dokumentarit flitet edhe për kushtet që ia vuri Rusia Serbisë që mos ta njohë pavarësinë e Kosovës.























