Naftëtarët e Ballshit kthehen në pikën zero: Edi Rama të mbajë premtimin
Një vit më parë u arrit një marrëveshje e përbashkët mes kryeministrit Edi Rama dhe naftëtarëve të Ballshit që këta të fundit të përfitojnë një ndihmë financiare prej 400 mijë lekësh të vjetra çdo muaj.
Këtë muaj kjo marrëveshje ka përfunduar dhe naftëtarët kthehen në pikën zero.
Gazetarja Inelda Vallja nga Uzina e Përpunimit në qytetin e Ballshit bën me dije se këtë muaj mbaron pagesa e cila ju premtua nga qeveria.
Uzina ku ata kanë punuar prej vitesh vazhdon të jetë në gjendje jofunksionale, ndërsa janë mbledhur para saj për të kërkuar një zgjidhje konkrete se çfarë do të ndodhë me ta, çfarë do të ndodhë me Uzinën.
"Ne na është premtuar për rifillim të punës deri në përfundim të kësaj page sociale nga qeveria. Madje na është thënë që brenda kësaj kohe, po ezauron koha se është muaji i fundit që ne marrim pagën dhe tani presim që premtimin e tij kryeministri ta vërë në zbatim për lëshimin e rafinerisë," tha një prej naftëtarëve.
Vitin e kaluar naftëtarët hynë në një grevë urie për të kundërshtuar vendimin e mbylljes së Uzinës dhe mos marrjen e pagesave./oranews























