Sterling: Fitimi i një trofeu është objektivi i vetëm i Anglisë
Sulmuesi i Manchester City dhe kombëtares angleze Raheem Sterling ka folur për “Sky Sports” në prag të ndeshjeve eleminatore të Kupës së Botës që “tre luanët” do të zhvillojnë këtë muaj.
“Ka akoma njerëz që na përgëzojnë dhe na urojnë, por nuk ka ndonjë arsye për të na uruar, sepse nuk kemi fituar asgjë.
Kjo është gjëja më e bukur e skuadrës sonë, ne nuk kënaqemi vetëm duke u paraqitur mirë. Nuk mund të kënaqemi vetëm me rezultate pozitive dhe me spektaklin që ofrojmë për vendin tonë, ne duam që të fitojmë trofe. Ky është mentaliteti i skuadrës tani, e uritur për të fituar trofe”, ka deklaruar Raheem Sterling, duke konfirmuar se objektivi i Anglisë është që të fitojë një trofe me peshë.
Sterling i rikthehet finales së humbur përballë Italisë në Euro 2020: “Shkuam deri në finale, por ne donim të fitonim, që të shkruanim historinë. Besoj se ky është mesazhi që Gareth Southgate, na ka dhënë që ditën e parë që mori drejtimin e skuadrës”.























