Heard: Fuqizimi i vërtetë, kur gratë do të mund t’i mbrojnë idetë dhe veten
Aktorja amerikane, Amber Heard, thotë se fuqizimi i vërtetë i grave vjen atëherë kur ato do të mund ta jetojnë të vërtetën e tyre, t’i mbrojnë idetë dhe veten, dhe të mos kenë frikë ta shprehin lirshëm mendimin.
Këtë deklaratë ylli i Hollivudit e bëri në një intervistë pak para sfilatës së markës “L’Oreal” në Paris, e cila i dedikohet fuqizimit të grave. Aktorja është ambasadore e kësaj kompanie të kozmetikës, e cila ka lançuar një fushatë për inkurajimin e grave dhe burrave që ndërhyjnë në mënyrë të sigurt, nëse përjetojnë ose dëshmojnë ngacmime në rrugë.
Heard ndër të tjera tha se ngacmimet në rrugë janë diçka që gratë i kanë përjetuar gjithmonë, por janë mësuar t’i marrin natyralisht.

“Fuqizimi kalon përtej ndjesisë së sigurisë apo bukurisë. Fuqizim për mua, është ta jetosh të vërtetën tënde, të luftosh për veten dhe ta shprehësh lirshëm mendimin tënd. Dhe ajo që më pëlqen më së shumti për faktin se jam pjesë e iniciativës së “L’Oreal Paris”, është se ajo prek tema të tilla si ngacmimi seksual në rrugë, gjë që besoj se secila grua e ka përjetuar dhe është mësuar ta marrë si diçka normale dhe të zakonshme. Ndihem e nderuar që jam këtu në mesin e këtyre grave dhe burrave të mrekullueshëm, për ta mishëruar dhe festuar me të vërtetë atë shpirt të feminizmit”.
Aktorja e cila është duke xhiruar filmin “Aquaman 2” në Londër dhe në Paris shoqërohej nga vajza e saj e vogël, Onagh Paige. 35-vjeçarja e cila dikur ishte e martuar me yllin e kinematografisë, Johnny Depp, tha se të bërit nënë ishte dhurata më e bukur që e ka përjetuar ndonjëherë.























