“Pochettino i ka ditët e numëruara në PSG”
Mauricio Pochettino i ka ditët e numëruar në krye të ekipit të Paris Saint-Germainit, sipas Antonio Cassanos, ish-sulmuesit italian i cili i vë në dyshim taktikat e trajnerit argjentinas.
Pasi dështoi ta fitojë Ligën e Kampionëve dhe titullin në Ligue 1 sezonin e kaluar, Pochettino është nën presion të madh për ta arritur lavdinë me PSG-në këtë sezon, veçanërisht me Lionel Messin në ekip.
Por Cassano nuk beson se Pochettino do të zgjasë aq gjatë sa për ta mbërritur fundin e sezonit.
Ish-sulmuesi i Interit dhe Milanit pretendon se Pochettino nuk punon me ekipin për taktikat e lojës dhe se ka vështirësi në menaxhimin e superyjeve.
“Pochettino do ta ketë një jetë të shkurtër në PSG. Kam dëgjuar gjëra të këqija për të. Ai është njeri shumë i mirë, por si trajner ai nuk ka punuar asnjë minutë për taktikat dhe ekipi e kërkon këtë”, tha Cassano, raporton GE.
“Ai iu kërkon lojtarëve këshilla sesi të luajnë. Nuk mund ta besoj”.
Cassano beson se Zinedine Zidane do ta zëvendësoj Pochettinon në PSG.
“Nga ajo që e kam kuptuar unë, nëse ai vazhdon kështu, ditët i ka të numëruara. Vini re Zizoun”, nënvizoi ai.























