Shqipëria do të dërgojë 21 ushtarakë në Letoni me NATO-n
BKT
Shqipëri

Shqipëria do të dërgojë 21 ushtarakë në Letoni me NATO-n

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha në Tiranë se ushtria e Shqipërisë do të jetë krah NATO-s në mision në Leotni.

Pas mbledhjes së qeverisë, ministri Peleshi theksoi se një ndër vendimet e marra ishte “për të vijuar kontributin e Forcave të Armatosura në misionin e NATO-s në Letoni”.

Janë 21 efektivë dhe gjithsej 200, të Forcave të Armatosura që do të shkojnë në një stërvitje duke nisur si kontribut siç tha ministri, që në vitin 2017.

“Letonia është në verilindje të aleancës tonë NATO dhe pozicioni ka si synim përballimin e rrezikut që i vjen aleancës nga vendet e Lindjes”-tha zoti Peleshi, raportoi korrespndenti i RTK-së Denion Ndrenika.

Sipas ministrit Peleshi, Shqipëria kontribuon me një specialitet për neutralizimin e municioneve të paplasura.

“Ne jemi angazhuar në këtë drejtim për të qenë të nevojshëm në kontributin e NATO-s në këtë pjesë. Në rast se fokusohemi më shumë, ne japim një kontribut të paçmuar në NATO. Ne jemi duke u angazhuar dhe në dije”-tha ai.

Ministri i Mbrojtjes, Peleshi theksoi se Shqipëria dëshiron që Forcat e Armatosura të spikaten dhe në dije.

Po ashtu ai tha se mbrojtja kibernetike është një togfjalësh gjithmonë më i përditshëm në çështjet e sigurisë në përgjithësi dhe “në këtë kuadër po investojmë te rimodelimi i Akademisë së FA-së”.

“Jemi duke bashkëpunuar me SHBA. Duam të sjellim modelin amerikan këtu te ne”-shtoi ministri Peleshi.

Ndërkaq, ka rritje të interesimit të të rinjve të Shqiëprisë për të studiuar pranë ushtrisë dhe sipas ministrit Peleshi “në degët e reja kemi pasur 1 mijë aplikime, në fazën e parë të regjistrimeve”.

“Duam të krijojmë një kampus të FA dhe me mbështetjen e nevojshme do të ia dalim për edukimin në fushën e shkencave ushtarake”-përfundoi zoti Peleshi.


MË SHUME NGA Shqipëri