Kriza e energjisë, Rama mbledh sot qeverinë
Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të premte (8 tetor) qeverinë për të diskutuar mbi paketën ligjore për të përballuar ndikimin që do të ketë shtrenjtimi i energjisë në tregjet globale.
Mbledhja pritet të fillojë në orën 09:00 dhe më pas Rama do të mbajë një konferencë për mediat, ku do të prezantojë planin për mbrojtjen e qytetarëve dhe biznesit të vogël nga efekti që mund të ketë një rritje e pakontrolluar e çmimeve.
"Vala e çmimeve ndërkombëtare sigurisht që prek edhe brigjet e Shqipërisë, por ne jemi të gatshëm të mbrojmë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël.Shumë shpejt brenda javës Kryeministri do të shpalosë vetë platformën për mbrojtjen e konsumatorit familjes dhe sipërmarrjen e vogël", deklaroi Ahmetaj të mërkurën pas mbledhjes së qeverisë.
Vetë Rama dje në Kuvend ndërsa debatonte me opozitën u shpreh: "Zgjedhja ime është të respektoj inteligjencën e këtij populli, ti them kjo është situata, kjo është përballja. Nuk do ta lëmë vetëm as tani. Mos u ngutni t'u thoni do tu rrisë çmimin e energjisë gogoli se do të dilni shumë keq".
E ndërsa Qeveria pritet të subvencionojë familjet me të ardhura të ulëta dhe bizneset e vogla, çmimet e larta do të duhet ti përballojnë bizneset e mesme dhe të mëdha si dhe personat që kanë paga të mesme dhe të larta.
Në fakt rritja e çmimeve ka nisur të ndihet por ministrja e Financave ka paralajmëruar se do të ketë një tjetër shtrenjtim.
Kundër kësaj situate në rrethe dhe në Tiranë kanë nisur protestat, ku kërkohet ndërhyrja e qeverisë.























