Berisha: Shpresoj ta mposhtim Hungarinë e t`i afrohemi ëndrrës
BKT
Sport

Berisha: Shpresoj ta mposhtim Hungarinë e t`i afrohemi ëndrrës

Kapiteni i Shqipërisë, Etrit Berisha ka thënë se shpreson që edhe në ndeshjen e dytë Shqipëria ta mposhtë Hungarinë. Ai ka folur një ditë para ndeshjes, e cila zhvillohet në Budapest dhe u përket kualifikimeve për Botërorin e Katarit.

"Unë mendoj se në këto ndeshje kemi dëshmuar se mund të bëjmë ndeshje të mëdha, pasi fitorja ndaj Hungarisë na dha më shumë besim. Shpresoj që nesër të jetë fitorja e radhës, që t’i afrohemi edhe më shumë ëndrrës tonë e për ta bërë më të lehët ndeshjen e ardhshme ndaj Polonisë", ka thënë ai.

Kapiteni shqiptar ka vlerësuar hungarezët. 

"E kam thënë edhe më herët, që Hungaria ka lojtarë cilësorë, mirëpo arma kryesore e tyre është ekipi. Nuk kanë yje që bëjnë diferencën, por si grup kanë bërë gjëra shumë të mira, ndaj e di që nesër na pret një ndeshje shumë e vështirë. Ne kemi rezultatin nga ndeshja e parë dhe duhet të vazhdojmë aty ku e lamë, pasi në Elbasan bëmë një takim të mirë në aspektin mbrojtës, por edhe sulmues, ku krijuam shumë raste", është shprehur ai.