PS kundër kërkesës së PD për çështjen “Becchetti”
BKT
Shqipëri

PS kundër kërkesës së PD për çështjen “Becchetti”

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka zhvilluar një mbledhje këtë të hënë.

Kryetari u grupit, Taulant Balla, ka folur për mediat në përfundim të mbledhjes, ku ka treguar se për çfarë është diskutuar mes deputetëve dhe çfarë është vendosur.

Socialistët kanë vendosur që të mos votojnë një prej komisioneve hetimore të kërkuara nga Partia Demokratike. Bëhet fjalë për çështjen Becchetti. Balla tha se kjo kërkesë bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe interesat e Shqipërisë.

“Dua t’ju bëj me dije se nga PD kanë ardhur 3 kërkesa. Një nga kërkesat bie në kundërshtim me vendimin e Gjykata Kushtetuese që ka sqaruar qasjet në raport me kërkesat kundrejt komisioneve hetimore. Është e vërtetë që pakica ka të drejtë të ngrihet në komisione hetimore dhe nuk vihet në dyshim ngritja e komisionit hetimor, por kur kërkesa bie në kundërshtim me Kushtetutën. Mendoj që kjo kërkesë bie në kundërshtim me interesat e Shqipërisë në raport me disa procese ligjore, gjyqësore që po zhvillon Shqipëria. Shpresoj që dhe PD të kuptojë që në këtë fazë të procesit gjyqësor interesi më i madh që duhet të prevalojë është interesi i Shqipërisë. Nuk mendoj se interesi i PD është që ne të vihemi në shërbim të një individi sepse çështja në fjalë është individi përballë Shqipërisë. Shqipëria duhet të mbrojë interesat e saj”, tha Balla.

Balla argumentoi se çështja është ende në proces gjyqësor dhe nuk duhen dëmtuar interesat e saj.

“Ky ka qenë edhe një sugjerim i avokatit të shtetit që është përfaqësues i Shqipërisë në këtë proces që kërkon që kjo çështje të shtyhet dhe sapo Shqipëria të ketë në aspektin juridik apo ligjor në këtë çështje ne mund të ecim në një moment të dytë”, u shpreh Balla.

Sa i përket dy komisioneve të tjera hetimore të kërkuara, atë për inceneratorët dhe zgjedhjet e 25 Prillit, Balla tha se mjafton gjetja e një formulimi të saktë të objektit të hetimit dhe mund të vijojë puna. Megjithatë, kreu i grupit parlamentar socialist tha se duhet të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë.

“Në rast se PD pretendon që në zgjedhjet e 25 Prillit ka pasur masakër zgjedhore, këtë nuk e pranoj edhe unë. Prezumimi i pafajësisë është parimi bazë mbi të cilin duhet të emërtohet komisioni dhe objekti hetimor.

PD vjen me disa pretendime, atëherë të shqyrtojmë pretendimet që lidhen me patronazhimit, me çështjen e administratës, me çështjen e fondeve publike, por duhet të prevalojë parimi i pafajësisë. Mendoj se formulimi i mesëm që kënaq të gjitha palët ekziston. Për PD ka rëndësi pranimi pa kushte i PS për të ngritur një komision hetimor për të hetuar pretendimet në lidhje me zgjedhjet e 25 Prillit. Ky është një standard që ne e kemi vendosur”, tha Balla.

Balla tha ndër të tjera se socialistët do të votojnë kundër disa dekreteve të presidentit dhe do të miratojnë vetëm një prej kandidatëve të prezantuar nga Meta për Autoritetin e Konkurrencës/tvklan.al


MË SHUME NGA Shqipëri