Shqipëri-MV, Fino: Zbatim i përbashkët i projekteve në të ardhmen
BKT
Shqipëri

Shqipëri-MV, Fino: Zbatim i përbashkët i projekteve në të ardhmen

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane dhe Komisionit Evropian, për programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut – Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020”, propozuar nga Këshilli i Ministrave.

Në mbledhjen e Komisionit për paraqitjen e projektligjit ishin të pranishëm, Megi Fino zëvendësministre në Ministrinë për Evropën dhe Punët e jashtme dhe specialistë të kësaj ministrie.

Fino, bëri prezantimin e historikut dhe përmbajtjes së projektligjit duke u ndalur në faktin që miratimi i kësaj marrëveshjeje financiare do të mundësojë zbatimin e përbashkët të projekteve në të ardhmen midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, sipas prioriteteve të përcaktuara në program, duke ju mundësuar në këtë mënyrë aktorëve rajonalë dhe vendorë nga të dyja vendet, të shkëmbejnë jo vetëm njohuritë dhe përvojat, por edhe të prodhojnë rezultate të dukshme dhe një efekt të matshëm për sektorin socio-ekonomik.

Relatori i marrëveshjes për komisionin, Paulin Sterkaj, duke vlerësuar rëndësinë e projektit, theksoi se, qëllimi i këtij projektligji është ratifikimi nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë të përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Republikës së Maqedonisë së Veriut përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane dhe Komisionit Evropian, për Programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Maqedonia e Veriut – Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020, me një vlerë prej 1 800 000 euro për të dyja vendet përfshirë dhe bashkëfinancimin kombëtar të dy shteteve.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve te anëtarëve, komisioni miratoi unanimisht, në parim nen për nen dhe në tërësi, marrëveshjen në fjalë./atsh


MË SHUME NGA Shqipëri