Nënpresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s u rizgjodh Mimi Kodheli
Mimi Kodheli u rizgjodh zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s gjatë punimeve të zhvilluara në kryeqendrën e Portugalisë, Lisbonë.
Punimet vjetore nga 8-11 tetori 2021 u përqendruan me mbledhjen e Komisioneve gjatë dy ditëve të para.
Pjesëmarrësit trajtuan dhe analizuan raportet dhe rezolutat e përgatitura nga raporterët, ndërsa të ftuar ishin ekspertë të fushës si dhe krerët e politikës portugeze.
Diskutimet e këtij sesioni u përqëndruan në tema si Afganistani, Koncepti Strategjik i NATO 2030, situata post elektorale në Rusi si dhe situata në Lindjen e Mesme, raportoi korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika
Ndërkaq, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi u shpall fituese e çmimit “Women for Peace and Security 2021”, i dhënë për herë të parë nga Asambleja.
Si e ftuar speciale e sesionit në Lisbonë, zonja Pelosi tha se përparësia e edukimit të grave mbetet një prej shtyllave drejtuese të punës së saj të përditshme.
Zonja Pelosi shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia dalin sepse besojnë që gratë mund t’ja dalin.
Sesioni vjetor përmbylli punimet e tij me seancën plenare drejtuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO Kongresmeni Gerry Connolly.
Të ftuar veç zonjës Pelosi, ishin Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Presidenti i Portugalisë si dhe Ndihmësekretarja amerikane e Shtetit për Europën dhe Azinë, Karen Donfrey.
Deputetja e Partisë Socialiste qeveritare, Kodheli është Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë.























