Tabaku: Akti Normativ nuk është për vaksinat por për PPP-të
Sharr Travel

Tabaku: Akti Normativ nuk është për vaksinat por për PPP-të

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë fjalës së saj në parlament seancën e sotme, u ndal tek akti normativ për ndryshimet në buxhetin e shtetit dhe rritja e borxhit publik.

Sipas Tabakut rritja e borxhit publik me 100 milionë euro, nuk ka lidhje me pretendimet e mazhorancës socialiste për vaksinat dhe përballimin e situatës së lindur nga pandemia, por bëhet për të paguar PPP-të dhe oligarkët.

Tabaku shprehet se opozita nuk mund të kthehet në një noter për ndryshimet buxhetore që qeveria kërkon të bëjë. Opozita mund të bie dakord për vaksinimin dhe rindërtimin, por jo për abuzimet që kërkon të mbulojë qeveria përmes ndryshimeve në buxhet.

“Në 8 vite në fakt sa herë kam ardhur këtu në Parlament jam përpjekur të flas me fakte, me shifra, me argumente, pa ofenduar askënd. Por leksione qytetarie nga këta që ofendojnë nga mëngjesi në darkë, unë nuk besoj se pret askush nga ana jonë.

Sa herë kemi ardhur në këtë parlament, çdo ditë në çdo vendim që kanë marrë, në çdo ligj që kanë sjellë, çdo ditë e më shumë kanë futur duart në xhepin e qytetarëve. E parlamenti voton symbyllazi, nuk bën asnjë ndryshim, nuk shohin çfarë i sjellin.

“Po votoni kundër vaksinimit”, tha.

Po çfarë ka sot rritja e borxhit me 110 milionë euro?! Ka 1 milionë për vaksinat. Ka për Teatrin Kombëtar. Janë duke sfiduar edhe Gjykatën Kushtetuese duke i dhënë fonde Bashkisë së Tiranës për Teatrin Kombëtar. Janë duke kaluar fonde për mirëmbajtje për AKSH-in. Janë duke kaluar fonde dronët.

Të gjitha të parashikueshme.

Ia kam thënë komisionit edhe këtu në seancë, nga mëngjesi deri në darkë, e mbledhim parlamentin sa herë duhen vendime për qytetarët, votojmë me të dyja duart pro edhe për vaksinimin, në qoftë se duhet edhe për rindërtimin me gjithë kontratat abuzive dhe korruptive që janë duke firmosur çdo ditë. Por nuk mund ta kthejmë Parlamentin në një noter të çdo ndryshimi buxhetor që këto duan të bëjnë.

38 akte normative, ndryshime kanë bërë vitin e kaluar, tha këshilltari i presidentit, 28 këtë vit. çfarë është kjo?! Është paaftësi?! Është arrogancë?! Që jo vetëm buxhetin por edhe Kushtetutën e kanë kthyer në një fletore bakalli që na mbledhin ne këtu sa herë zgjohen me idenë për të ndryshuar diçka. Por unë nuk e di që ka qeveri që 4 herë brenda vitit të ndryshojë buxhetin?! Nuk e di a qeveri që në fillim të vitit 2021 këtë vit ne do të vaksinojmë?! Është minimumi i përgjegjësisë zyrtare. Është minimumi i përgjegjësisë përpara qytetarëve dhe pastaj vijnë na shesin ne fonde për rindërtimin e fonde për tërmetin.

“Do të marrim borxh për të ulur borxhin”, tha ministrja e Financave sot. Nuk e di nëse e dëgjuat apo jo?!

Por sesi mund të merret borxh, e pranojnë vetë në këtë dokument, “duke çuar në 80% nivelin e borxhit publik, për ta ulur në 45%”, tha po ministrja e Financave sot. Se po t’i dëgjosh të flasin nga fillimi në fund, flasin dy gënjeshtra brenda të njëjtës fjali, dy kundërthënie.

Është njësoj si fjalia që u tha pak vite më parë “koncensionarët nuk i paguajnë qytetarët shqiptarë, nuk i paguan buxheti shqiptar.”, tha ky që foli tani para meje.

I gjithë akti normativ për ndryshimin e buxhetit ka një gjë në thelb, janë fonde që u përdorën për fushatën elektorale, parapagesa për kompanitë, qoftë për Unazën e Tiranës, qoftë për projekte të tjera që kanë tenderuar vetë që thjesht i formalizuan, i futën në një akt normativ; hajt se i miraton parlamenti. Këtë detyrë ka parlamenti, të mbyllë sytë dhe të ngrejë dorën sa herë që duan këto.
Ndërkohë, na flasin ne këtu për ide, për mendime, për programe. Unë nuk kam parë të diskutohet nga ana e qeverisë, por edhe kur u diskutua qoftë edhe programi i qeverisë: Ore një vizion ku po shkon ekonomia? Çfarë po ndodh me tregun? Një ide programore edhe për një fushë më të thjeshtën, fundja për bujqësinë, biem të gjithë dakord apo për integrimin europian, hajt se po e votojmë edhe ne. Po një herë të vetme të mos vijnë këtu me një ide, të mos vijnë këtu me një propozim për njerëzit; por sa herë që e mbledhin këtë parlament, sa herë kur kalojnë edhe 1 milionë për vaksinat do të kalojnë 110 milionë për kontratat e tyre.

Unë nuk besoj se ndodh në asnjë parlament tjetër të botës me të cilin ne mund të krahasohemi.

“Sot bizneset e ndershme paguajnë dy kosto”-iu tha dje ministres së Financave; paguajnë koston e taksave por njëkohësisht edhe koston e ekonomisë gri, ekonomisë së zezë. Sot talentet po largohen. Sot Shqipëria po varfërohet çdo ditë e më shumë dhe këtë nuk e them unë e thotë çdo raport”, tha Tabaku./panorama.al


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare