Zgjatja e mandatit të vettingut, Rama: Reforma në drejtësi nuk negociohet
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot pas mbledhje së kryesisë së Partisë Socialiste se, “zgjatja e mandatit të organeve të vettingut është një domosdoshmëri”.
I pyetur nga gazetarët në një prononcim për mediet nëse ka pazar me kreun e PD-së Bashën për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut, Rama tha se, “zgjatja e mandatit të organeve të vettingut është një domosdoshmëri, e cila vjen si rezultat i një procesi që e ka treguar sesa i vyer është pastrimin e llumit nga sistemi i drejtësisë dhe nxjerrjen në pah të njerëzve me integritet dhe ky proces nuk mund të ndërpritet”.
Ndërsa, shtoi Rama, “nga ana tjetër, ju kujtoj se reforma në drejtësi është një reformë e bazuar tek një partneritet shumë i ngushtë, i pandërprerë dhe i pa disktueshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë, me aleatët tanë strategjike SHBA dhe BE dhe këtu besoj se vija është shumë e ndarë”.
I pyetur nëse oferta për bashkëqeverisje drejtuar Bashës a ka qenë një ftesë e sinqertë, Rama tha se, “PS është në një proces reflektimi, sepse proceset e reflektimit ne na kanë garantuar që të qëndrojmë në lartësinë e pritshmërive të publikut. Por në të njëjtën kohë proceset e reflektimit na kanë ndihmuar të kuptojmë se, vetë përmirësimi është një domosdoshmëri për një forcë politike që merr përsipër të drejtojë vendin”.
“Ne jemi sot përsëri në qeveri si një forcë e vetme, por ne nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se në qeveri ne nuk kanë sjellë thjeshtë votat e anëtarësisë tonë, por na kanë sjellë votat e një shumice dërrmuese shqiptarësh dhe atyre shqiptarëve ne duhet t’i japim në radhë të parë shansin që të përfshihen në familjen tonë politike, duke i thyer të gjitha ato barriera që koha i vendos dhe që inercia i mban aty. Dhe në anën tjetër t’u japim mundësi të gjithë shqiptarëve të ndjehen mirë për sa na takon, jo sepse ne i bëjmë mirë të gjitha gjërat, as sepse ne nuk bëjmë gabimet tona, por sepse bëjmë gjithmonë më të mirën tonë, që më e mira të bëhet edhe për të tjerët”, tha Rama.
I pyetur nëse do të nisë negociatat me PD për të siguruar votat për reformën në drejtësi, Rama tha se, “ reforma në drejtësi nuk është diçka për t’u negociuar, është diçka për t’u kryer dhe besoj që në këtë pikë është shumë e qartë për të gjithë që kthim mbrapa nuk ka, që qëndrim në vendnumëro nuk ka dhe kush i bie ndesh reformës në drejtësi i bie ndesh interesave të vendit. I bie ndesh aleancave strategjike të vendit. I bie ndesh të ardhmes së vendit”.
“Reforma në drejtësi nuk është kërkesë partiake. Reforma në drejtësi është kërkesë historike, është kërkesë kombëtare. Është kërkesë e të gjithë fëmijëve të këtij vendi, qofshin fëmijët e socialistëve, qofshin fëmijët e demokratëve. Ndërsa të tjerat janë patjetër çështje që mund të diskutohen. Ne jemi të gatshëm që të diskutojmë çdo gjë me PD-në, e kam thënë që ditën e parë. Por njëra me tjetrën nuk kanë lidhje fare”./atsh























