Shqipëria me satelitë dhe dronë inteligjentë, forcim i kontrollit mbi terri
BKT
Shqipëri

Shqipëria me satelitë dhe dronë inteligjentë, forcim i kontrollit mbi terri

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot pas mbledhje së kryesisë së Partisë Socialiste se, Shqipëria do të ketë satelitë dhe do t’i ketë shpejt për të forcuar kontrollin mbi gjithë territorin e saj në të gjitha aspektet.

I pyetur nga gazetarët në një prononcim për mediet se sa satelitë do të dërgohen dhe sa do të kushtojnë, Rama tha se, “kini durim. Qeshni sepse e qeshura shëndet është nuk diskutohet dhe mirë u bën të gjithëve. Shqipëria do të ketë satelitë dhe do t’i ketë shpejt për të forcuar kontrollin mbi gjithë territorin e saj në të gjitha aspektet. Dhe do ketë jo vetëm satelitë, por do të ketë edhe dronë inteligjentë që do të ndihmojnë për ta çuar vendin në një nivel tjetër nga aspekti i administrimit të territorit të vetë dhe këto janë mjete të një teknologjie të re që garantojnë një monitorim të territorit për shumë gjëra, që nga kufijtë, tek ndërtimet që kryhen në territor, tek monitorimi lidhur me informacionin që u duhet strukturave të shtetit për luftën kundër trafiqeve. Për patjetër çuarjen deri në fund përpjekjeve për të zeruar plotësisht territoret e kultivimit të lëndëve narkotike. Për të mbjellat e bujqësisë. Për shumë, shumëçka. E natyrisht për të luftuar në mënyrë shumë cilësore krimin e organizuar duke pasur kapacitete monitoruese të paimagjinueshme. Dhe patjetër duke pasur në dispozicion këtë arsenal për të lehtësuar jashtë zakonisht shumë marrëdhëniet që zhvillohen në territor dhe që shpeshherë komprometohen nga inspektorë, nga punonjës policie të korruptuar”.

“Kështu që nuk do bëjmë asgjë ne që ndodh për herë të parë në Shqipëri. Vende të tjera të zhvilluara e bëjnë këtë gjë. E mira e kësaj kohe të teknologjisë së lartë është që nuk nevojë të jesh një vend i super zhvilluar për të bërë një kapërcim epokal duke i vënë vetes në dispozicion mjete të kësaj natyre që kanë një sofistikim që i kapërcen kufijtë e imagjinatës”, theksoi Rama.

“Kështu që Shqipëria do t’i ketë satelitët e saj dhe do t’i ketë shpejt. Ashtu sikundër do të ketë dhe dronët e saj inteligjentë. Dhe do të rrisë në mënyrë eksponenciale kapacitetet e kontrollit të territorit në të gjitha aspektet. Për zjarret, për emergjencat civile”, u shpreh Rama.

Natyrisht përdorimi këtyre mjeteve sa i përket Republikës së Shqipërisë do të jetë një përdorim për çështje që kanë të bëjnë me punët civile të vendit dhe me luftën kundër krimit të organizuar. Nuk do të jenë për çështje të natyrës së veprimeve apo të ofensivave ushtarake, natyrisht”, tha Rama.

I pyetur se kush është më prioritare për qeverinë, ujë 24 orë në të gjithë territorin apo satelitët, Rama u shpreh se, “po për shembull po t’’ju them unë që satelitët lidhen edhe me ujin 24 orë çfarë do thoni ju? të gjitha bashkë. Ideja që meqë se kemi ujin 24 orë në të gjithë territorin prandaj ne nuk duhet ta kontrollojmë territorin është e gabuar. Sepse për shembull nëpërmjet satelitëve dhe dronëve inteligjentë ne do të kemi një kontroll të përditshëm mbi të gjithë territorin e Shqipërisë dhe do të mund të identifikojnë çdo lloj ndryshimi, apo çdo lloj ndërhyrjeje të paligjshme në shtretërit e lumenjve të Shqipërisë”.

Ashtu sikundër për shembull do të kemi një kontroll të plotë edhe mbi mjedisin duke identifikuar në kohë reale çdo lloj cenimi të mjedisit, sa i përket vend grumbullime ilegale të mbetjeve apo sa i përket prerjes ilegale të pyjeve për shembull. Kështu që të gjitha këto shkojnë bashkë”, tha Rama.

Nuk është se ne do të çojmë satelitë për të bërë kërkime në mars. Ne na duhen sy inteligjentë të një kapaciteti që i tejkalon kapacitetet njerëzore, për të pasur në kohë reale informacione mbi territorin e vendit tonë dhe për të identifikuar në kohë reale çdo ndërtim pa leje që bëhet në Republikën e Shqipërisë. Jo duke e lënë këtë në rrjedhën e inspektimeve dhe pastaj duke u gjendur përpara një ngrehine që ka shkuar në kat të tretë, ndërkohë që me dronët inteligjentë dhe satelitët kjo gjë identifikohet të nesërmen. Dhe kështu gjithkush që kryhen veprime të paligjshme në territorin e Shqipërisë dhe gjithkush që cenon territorin e Shqipërisë do të duhet ta ketë parasysh që është duke e parë dikush tjetër që nuk duket rreth e rrotull dhe që nuk mund të korruptohet, nuk mund të kompromentohet, nuk mund të gjendet në asnjë lidhje krushqie dhe farefisi se është lart”, theksoi Rama./atsh


MË SHUME NGA Shqipëri