Gjatë javës pritet të përfundojë procesi i numërimit në QNR
BKT
Lajme

Gjatë javës pritet të përfundojë procesi i numërimit në QNR

Pas përfundimit të proceseve zgjedhore për kryetarë të komunave dhe kuvendeve komunale, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon ende numërimi i votave, i cili pritet të përfundojë gjatë kësaj jave.

Zëdhënësi i Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një konferencë për media tha se në QNR kanë pranuar materialin zgjedhor nga të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës dhe se aktualisht po bëhet futja në sistem e të dhënave nga formularët e rezultateve të kandidatëve për kryetarë të komunave.

Ndërsa tha se pas përfundimit të procedurave në QNR do të fillojë numërimi i votave të personave me kusht, personave me aftësi të kufizuar dhe atyre me postë.

Elezi: Procesin e votimit planifikojmë ta përmbyllim gjatë kësaj jave

“KQZ siç e dini ka pranuar rreth 5 mijë e 700 apo të supozuar me fletëvotime. Gjatë procesit të verifikimit do të kemi një pasqyrë të saktë i fletëvotimeve dhe nëse janë dërguar nga votuesit që i takojnë listës votuese jashtë Kosovës. Pasi të përfundojnë të gjitha aktivitetet në QNR atëherë do të fillojmë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave të ardhura me postë. Kjo do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim dhe planifikojmë ta përmbyllim si proces gjatë kësaj jave”, tha Elezi.

Po ashtu Elezi shtoi se në njërën prej mbledhjeve të ardhshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përcaktojë periudhën e fushatës zgjedhore për balotazh për kryetarë të komunave.

Elezi: KQZ është i përqendruar në përfundimin e të gjitha procedurave lidhur me zgjedhjet për kryetarë të komunave

“Duke e ditur se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale pra i zgjedhjeve për kryetarë të komunave sipas ligjit për zgjedhje lokale do të mbahet katër javë pas raundit të parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i përqendruar në përfundimin e të gjitha procedurave lidhur me zgjedhjet për kryetarë të komunave. Pra për të shpallur dhe certifikuar rezultatet përfundimtare të tyre në mënyrë që të arrijnë këtë afat ligjor”, tha ai.

Elezi ka thënë se duke marr për bazë zgjedhjet e kalaura lokale, certifikimi i rezultateve pritet të bëhet pas 12 ditësh.

Elezi: Se sa do të jetë kohëzgjatja në këtë proces zgjedhor varet nga dinamika e punës këtu në QNR

“Në vitin 2013 për të shpallur rezultatet përfundimtare të KQZ nga dita e zgjedhjeve i janë dashur 11 ditë ndërkaq për të certifikuar rezultatin edhe 6 të tjera. Në përgjithësi deri në certifikim e rezultatit të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në raundin e parë të zgjedhjeve lokale pra të viti 2013 KQZ i janë dashur gjithsej 16 ditë. Ndërkaq në zgjedhjet lokale të viti 2017 për të shpallur rezultatet përfundimtare të raundit të parë për zgjedhje për kryetarë të komunave KQZ i janë dashur 9 ditë dhe 3 ditë të tjera për të certifikuar këtë rezultat. Në përgjithësi pra nga dita e zgjedhjeve e deri në certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, raundi i parë në vitin 2017 KQZ janë dashur 12 ditë. Se sa do të jetë kohëzgjatja në këtë proces zgjedhor varet nga dinamika e punës këtu në QNR”, ka potencuar ai.

Zgjedhjet lokale u mbajtën të dielën, ndërsa 21 komuna kanë shkuar në balotazh, i cili pritet të mbahet më 14 nëntor.


MË SHUME NGA Lajme