Pioli: Porto luajti më mirë, por besoj tek kualifikimi
Për herë të parë në historinë e tij, Milani ka humbur tre ndeshjet e para të luajtura në fazën e grupeve të Champions League.
Tekniku Stefano Pioli është shfaqur shumë i mërzitur pas humbjes së tretë radhazi në turneun më të rëndësishëm europian për klube, një disfatë që zvogëlon ndjeshëm shanset për kualifikimin në turin tjetër të turneut.
“Ishim në vështirësi, ata luajtën më mirë. Duhet të qarkullonim më mirë topin, sepse shanset për të krijuar raste të rrezikshme ishin, por ne nuk arritëm të krijonim. Mungesat? Nuk është kjo çështja, skuadra ishte e ekuilibruar dhe kompetitive, por ata luajtën më mirë se ne”, ka thënë trajneri i Milanit, pas humbjes përballë Portos.
Tekniku ka folur edhe për shanset që ka skuadra e tij për tu kualifikuar: “Duhet të besojmë, ndonëse është e lehtë me fjalë, por do të jetë shumë e vështirë në fushën e lojës.
Nuk kemi asnjë pikë, por skuadrat e dyta kanë nga 4 pikë dhe nuk janë shumë larg. Gabuam në ndeshjen kundër Portos, tashmë të mendojmë për takimin e radhës në kampionat dhe më pas me qetësi të mendojmë për Championsin”.























