Çuçi: Transformim drejt një modeli më demokratik
Sharr Travel

Çuçi: Transformim drejt një modeli më demokratik

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut projektligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, për transformimin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), strukturë e cila heton Policinë e Shtetit.

Çuçi në fjalën e tij në Komision u shpreh se, “ky projektligj synon reformimin e shërbimit apo agjencisë siç do të quhet pasi të miratohet ky projektligj si një agjenci inteligjente për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar veprimtarinë e paligjshme në radhët e subjekteve të agjencisë, duke e përafruar atë me agjenci të tjera homologe të vendeve anëtare të BE”.

Çuçi gjithashtu shtoi se ky projektligj synon, “transformimin e shërbimit apo Agjencisë drejt një modeli më demokratik dhe institucional, si pjesë e komunitetit të Agjencive ligj-zbatuese e inteligjente në vend, si në aspektin e misionit ashtu dhe në drejtim të përcaktimit të detyrave funksionale, përgjegjësive, strukturës dhe personelit”.

Ky projektligj shtoi Çuçi gjithashtu synon, “forcimin të funksionimit të shërbimit apo Agjencisë në zbatim të parimeve të respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut. Rritjes së kapaciteteve të shërbimit apo Agjencisë për një qasje pro aktive ndaj fenomeneve korruptive të subjekteve të shërbimit”.

Ky projektligj synon edhe, “parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe hetimin paraprak të veprimtarisë kriminale dhe korruptive në subjektet e shërbimit dhe përmirësimin e infrastrukturës teknologjike të shërbimit, për t’iu përgjigjur dinamikës dhe kërkesave gjithmonë në rritje”, tha Çuçi.

Duke folur për risitë që ka ky projektligj krahasuar me legjislacionin ekzistues, Çuçi u shpreh se, “është zgjeruar fusha e përgjegjësisë”.

“Pra tashmë ajo që sot quhet SHÇBA, por që pas miratimit të ligjit do të quhet Agjenci në fushën e përgjegjësisë do të shtohen dhe subjekte të tjerë, siç është Garda e Republikës apo shërbimi zjarrfikës, përveç Policisë së Shtetit që është deri tani”, theksoi ai.

Gjithashtu shtoi Çuçi, “një risi tjetër është kalimi në një strukturë civile. Pra zhveshja nga grada dhe krijimi i kësaj strukture civile me një zhvillim të qartë karriere dhe duke shmangur konfliktin e interesit me subjektet që mbikëqyr”.

“Një risi tjetër është se ky projektligj përcakton detyrimet që rrjedhin nga akte ligjore të miratuara ndërkohë, si ai për vlerësimin kalimtar dhe periodik të subjekteve mbikëqyrëse. Pikërisht në ligjin përkatës për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, gardës dhe SHÇBA-së, kjo strukturë ka marrë funksione të reja të cilat duhet të përfshihen në ligjin organik të kësaj Agjencie”, tha Çuçi.

Një risi tjetër shtoi Çuçi, “është veprimtaria verifikuese për pajisjen me certifikata të sigurimit të personelit të subjekteve”.

“Ky detyrim ka lindur edhe pas miratimit në 2015-ën të VKM-së për miratimin e rregullave të sigurimit të personelit, i cili i jep të drejtën shërbimit, apo Agjencisë në të ardhmen si autoritet verifikues për pajisjen me certifikatë sigurie të subjekteve që për shkak të detyrës duhet të njihen me informacion të klasifikuar”, tha Çuçi. /atsh