“Vettingu i gjyqësorit dhe politikanëve, i njëjti standard”
Sharr Travel

“Vettingu i gjyqësorit dhe politikanëve, i njëjti standard”

Nënkryetari i PD-së, Alfred Rushaj, teksa është pyetur nga gazetarët në lidhje me amendamentin e PD-së që u propozua në Kuvend për vettingun e politikanëve theksoi se do të veprohet njësoj si me prokurorët dhe gjyqtarët.

Ai tha se ndonëse PD ka rezerva për punën e SPAK, ky proces do të jetë i hapur dhe publik, përfshi edhe vendimmarrjet.

“Në propozimin tonë ne kemi përfshirë standardin i cili është diskutuar, miratuar dhe aplikuar dhe gjetur në përputhje me procedurat për rastin e magjistratëve. Nuk është e arsyeshme që magjistratët t’i gjykohet integriteti i tyre mbi bazën e standardeve, ndërsa me politikanët përdorim standard tjetër. Ajo që keni lexuar në draft, ka kaluar në të gjitha filtrat e gjyqësorit, përfshirë dhe në raportin e Venecias. Çdo fjalë është përfshirë në draftin tonë, është fjalë e marrë nga standardi që është vendosur te magjistratët, nesër do të kishit shqetësim këtë duhet ta kishit bërë me magjistratët. Është dakorduar dhe kaluar në filtrat e ligjshmërisë përfshi Gjykatës Kushtetuese dhe Venecias.”, tha Rushaj.

Po ashtu ai tha se zoti Basha ka shprehur qëndrimin e PD në lidhje me punën e SPAK.

“Nuk shoh dualizëm. Basha është shprehur qartë edhe dje se cili është qëndrimi i PD për këtë punë. Kemi rezerva me punën e SPAK, nuk është se kemi lëvizur nga ai qëndrim. Por po investojmë në këtë drejtim se nuk keni frikë dhe për të fshehur asgjë. Duke qenë një proces publik, prokurorët e SPAK që do të merrem me këtë punë do të duhet që vendimmarrjen e tyre do ta bëjnë publike. Standardi do të jetë publik. Nëse kjo bëhet publikisht, ky do të jetë gjykimi më i mirë që qytetarët do t’i japë SPAK-ut.”, theksoi ai.

Po ashtu Rushaj pohoi që të realizohet nga SPAK vettingu i politikanëve do të kërkohet burime njerëzore shtesë por dhe financiare.

“Kjo pyetje është marrë në konsideratë nga ne kur u bë propozimi. Në Kushtetutë ka një përcaktim për një minimum që duhet të ketë kjo strukturë. Ne duhet t’i japim SPAK burime njerëzore të nevojshme në infrastrukturë dhe nga ana financiare. Propozimi është që të shtohen forcat dhe kushtetua përcakton vetëm numrin e prokurorëve.”, pohoi Rushaj.