Marsh në Nju Jork për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë
Sharr Travel

Marsh në Nju Jork për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë

Vasfije Krasniqi - Goodman do të niset javën tjetër drejt Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në marshin që do të organizohet më 28 tetor para Konsullatës së Serbisë në Nju Jork, për të kërkuar drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

Krasniqi - Goodman është gruaja e parë në Kosovë që treguar hapur se është dhunuar seksualisht nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në mars të këtij viti, ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës, si anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka thënë se prioritet do ta ketë luftën për të drejtat e njeriut dhe viktimat e luftës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 21 tetor, ajo ka treguar se në marsh do të marrin pjesë edhe viktima të dhunës seksuale nga Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina.

“Marshi është iniciativë e këshilltarit të qytetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj. Jemi duke bashkëpunuar që organizimi të dalë sa më mirë dhe viktimat të kërkojnë drejtësi para Konsullatës së Serbisë në Nju Jork”, ka thënë ajo.

Marshin e kanë përkrahur shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe artistë të fushave të ndryshme.

Së fundmi, me thirrjen (Marsh për drejtësinë e saj) #rallyforherjustice është parë në duar edhe artistja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa.

Krasniqi - Goodman ka thënë se është gëzuar shumë kur e parë thirrjen e Lipës.

“Për mua është shumë diçka e madhe kur më përkrah një yll botëror si Dua Lipa dhe emocionohem kur flas për të”.

“Flas me viktimat çdo ditë”

Vasfije Krasniqi - Goodman është nderuar më 2018 me çmimin “Qytetar i Merituar i Republikës së Kosovës”, pas historisë që ka ndarë me botën për atë që ka përjetuar gjatë luftës.

Tani kur vetë është pjesë e institucioneve publike të Kosovës, ajo ka thënë gjatë intervistës se e gëzon fakti që viktimat kanë një zë që i përfaqëson dhe se asaj i drejtohen më lirshëm për t’i ndarë përjetimet e luftës.

“Unë flas me viktimat çdo ditë. Jam në kontakt të vazhdueshëm me to. Pavarësisht se a janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, apo viktima të ditëve të sotme. Ato e gjejnë mbështetjen tek unë dhe kanë besim të flasin lirshëm. Unë i kuptoj ato me çfarë ballafaqohen”, ka theksuar ajo.

Më 5 korrik të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dhjetë vjet burgim, ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vukotiq, për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ky njëherësh ka qenë rasti i parë që dikush është dënuar për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës.

“Përdhunuesve t’iu publikohet emri dhe mbiemri”

Ajo ka thënë se është e shqetësuar me rastet e fundit të dhunimeve në Kosovë ndaj vajzave të mitura, duke përmendur edhe rastin e fundit, për të cilin autoritetet dyshojnë se një person ka dhunuar një 12-vjeçare.

Krasniqi - Goodman ka thënë se për përdhunuesit duhet të ketë dënime më të larta.

“Unë kam biseduar një ditë më parë me ministren e Drejtësisë (Albulena Haxhiu) që të ndryshohet neni që ka të bëjë me këto raste. Dënimi nuk është i mjaftueshëm. Dënimet janë shumë të ulëta për këto raste. Dhunuesit duhet ta dinë se mjaft është mjaft dhe duhen të marrin dënimin e merituar”.

Ajo ka thënë se e sheh të arsyeshme që autoritetet t’i publikojnë emrat dhe mbiemrat e dhunuesve.

“Në Kosovë zakonisht faji po mbetet te viktimat dhe jo te dhunuesit. Kur ata (dhunuesit) të dalin me emra dhe mbiemra dhe të turpërohen, besoj se do të ketë ndryshim shumë të madh”.

Sipas nenit 227 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy deri në 10 vjet.

Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, në luftën e fundit në Kosovë janë dhunuar seksualisht rreth 20 mijë persona nga pjesëtarë të forcave serbe.

Sipas Kombeve të Bashkuara, gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, janë dhunuar më shumë se 20.000 gra, ndërkaq deri në prill të këtij viti janë dënuar vetëm rreth 160 kryerës të kësaj vepre penale.

Sa i përket Kroacisë, autoritetet ende nuk kanë dalë me shifra të sakta për këto viktima./rel/