Nikolla në Athinë,takime me homologët e Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë
BKT
Shqipëri

Nikolla në Athinë,takime me homologët e Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë

Gjatë qëndrimit të saj në Athinë, me rastin e pjesëmarrjes në konferencën e kryeparlamentarëve të Këshillit të Evropës, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u takua me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ekziston një bashkëpunim i shkëlqyer.

Gjatë takimit u bisedua mbi zgjerimin e këtij bashkëpunimi si edhe rritjen e  kontributin të Kuvendeve në nxitjen dhe mbështetjen e marrëdhënieve midis të dy vendeve.

Nikolla dhe Xhaferi vunë në dukje progresin e të dy vendeve në rrugëtimin evropian dhe plotësimin e të gjitha kushteve për mbajtjen e Tryezës së Parë Qeveritare me BE-në brenda vitit 2021.

Nikolla vlerësoi edhe rolin dhe kontributin e njohur të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut për zhvillimin, përparimin dhe evropianizimin e vendit.

Po sot, Nikolla u takua me kryetarin e parlamentit të Gjeorgjisë, Kakha Kuchava dhe gjatë takimit u bisedua mbi bashkëpunimin parlamentar, si edhe kontributin e parlamenteve në kryerjen e reformave integruese.

Kuchava e falenderoi Nikollën për mbështetjen e Shqipërisë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë.

Duke iu përgjigjur interesimit të kolegut gjeorgjian mbi reformën në drejtësi, Kryetarja Nikolla vuri në dukje se kjo reformë po zbatohet me sukses dhe besimi i publikut dhe qytetarëve te reforma në drejtësi është rritur.

Nikolla dhe Kuchava biseduan edhe për koordinimin  midis të dy parlamenteve dhe të dy vendeve për mbështetjen e kandidaturave në organizatat ndërkombëtare.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e ftoi kryetarin e parlamentit të Gjeorgjisë, Kakha Kuchava, për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Gjatë këtyre takimeve ishin të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, dhe ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga.


MË SHUME NGA Shqipëri