76-vjetori i OKB, Xhaçka: Ky mandat është tregues i pjekurisë diplomatike
Sharr Travel

76-vjetori i OKB, Xhaçka: Ky mandat është tregues i pjekurisë diplomatike

Gjatë fjalës së saj në ceremoninë e memorandumit të bashkëpunimit me Kombet e Bashkuara, në kuadër të 76-vjetorit të saj, Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka e ka konsideruar një arritje të madhe marrjen e mandatit nga Shqipëria në Këshillin e Sigurimit.

Ky mandat sipas ministres, është tregues i pjekurisë që ka arritur diplomacia shqiptare. sakaq tha se Shqipëria dhe rajoni, janë provë e vlerës së madhe që ka bashkëpunimi multilateral.

“Është padyshim një arritje e madhe për Shqipërinë, një arritje prestigjioze që tregon se çfarë pjekurie ka arritur diplomacia shqiptare dhe që njeh rolin konstruktiv të vendit tonë përsa i përket çështjeve të sigurisë, stabilitetit e zhvillimit. Por mbi të gjitha është një mundësi. Një mundësi për një vend të vogël që zakonisht e ka të vështirë të ndikojë apo të bëjë të dëgjohet zëri i tij në arenën globale, që të shtrojë para botës disa ide, disa zgjidhje për problemet që na shqetësojnë të gjithë. Ide e zgjidhje që burojnë nga eksperienca jonë, në çështje si Gratë Paqja e Siguria, Lufta kundër Radikalizmit të Dhunshëm, apo nevoja për të respektuar të drejtat e njeriut, ku Shqipëria padyshim ka shumë për të thënë, apo edhe për çështje si ajo e klimës ku ndoshta s’kemi ende një rekord të qartë arritjesh, por jemi të vetëdijshëm për nevojën për të bërë diçka e për këtë arsye kemi vendosur të bashkojmë forcat me vende të tjera që ndajnë të njëjtin shqetësim për të marrë stafetën për këtë çështje prej tyre e për t’ia kaluar atë në fund të mandatit tonë një tjetër vendi partner”, tha Xhaçka.